Voskopojarët e Korçës

7 Qershor 2022, 11:06 / AKTUALITET ALFA PRESS

Voskopojarët e Korçës

Do të duhej një Monografi më vete për të treguar historinë e voskopojarëve të Korçës; aq i rëndësishëm ka qenë për qytetin kontributi i tyre, si në fushën e tregtisë, kurbetit, por edhe në atë të intelektualizmit korçar.

Origjina e korçarëve voskopojarë daton me djegien e parë të Voskopojës, në vitin 1769; u pasua më pas me djegien e dytë, më 1772 dhe atë përfundimtaren (të tretën, të vërtetën), të vitit 1916. Ata sollën në qytet shpirtin e iniciativës dhe guximit, që përbën shpirtin e investimit e tregtisë dhe frymën e racionalizmit dhe humanizmit, të ‘Akademisë të Re’ të Kavaliotit, që përbente shpirtin e intelektualizmit.

Në çerekun e parë të shek.XX-të, kur Korça, me plot gojën, mund të konsiderohej si “Kryeqyteti i Jugut”, aty jetonin disa qindra familje me origjinë voskopojare. Shpirti i solidaritetit, nevoja për integrim, por edhe dëshira për të ruajtur identitetin voskopojar, i detyroi të organizohen dhe bashkëpunojnë. Kështu, në 1 maj 1929, themeluan Shoqërinë mirëbërëse voskopojare “Rilindja”, me qendër në Korçë. Në nenin 2, tekstualisht thuhet:

Qëllimi i shoqërisë është:

a) Të kujdeset për zbukurimin, mbarëvajtjen dhe prosperitetin e katundit Voskopojë, në çdo pikëpamje.

b) Ti vijë në ndihmë çdo anëtari të saj të vobektë, në qoftë se ja lejojnë të ardhurat e saj.

c) Të interesohet për ngritjen e moralit të çdo anëtari, me anë këshillash, konferencash, si dhe me anë të shfaqjeve teatrore.

d) Do të mos përzihet aspak në politikë.

Shoqëria, u legalizua në organet e pushtetit lokal, në 23 korrik 1929, pasi u miratua nga Prefekti i Korçës, z.Hil Mosi dhe u regjistrua në gjykatë prej k/sekretarit të saj z.Xhuvi Sharxhi.

Emrat e anëtarëve themelues, që iu bashkëngjitën Statutit të shoqërisë, pasqyrojnë mbiemrat e familjeve më të njohura voskopojare të Korçës si: Fundo, Ballauri, Stasa, Stralla, Dallaku, Ekonomi, Çipi, Faber, Misha, Fallo, Çupata, Drenesku, Simaku, Gëdeshi, Pllaha, Ballta, Mulla, Zallëmi, Theohari, Xhumetiku, Çule, Shamia...etj. (të më falin të tjerët që nuk mund t’i përmend për arsye vendi, por mund të plotësohen me komente).

Mos harroni, jemi para afro një shekulli, dhe Korça kish shoqatat e saj, të organizuara me Statut, Akt Themelimi dhe Organe ekzekutive!

Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress

 

Po ndodh...