Milot-Balldren prej floriri! Kostoja rritet frikshëm, nga 161.5 milionë në mbi 364 milionë euro!

5 October 2026, 13:37 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Milot-Balldren prej floriri! Kostoja rritet frikshëm, nga 161.5

Projekti i rrugës Milot Balldren është gati trefishuar në kosto dhe në kohëzgjatje nga 2018 deri në fund të 2025. 

Në kontratën me koncensionarin ANK shpk ku vlera e parashikuar në bazë të studimit të fizibilitetit ishte 161 500 000 euro për 13 vite.

Me marrjen e drejtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës nga Belinda Balluku dhe tërheqjes së realizimit të projektit nga kompania fituese në 2018, kostot u frynë në thirrjen e dytë në vlerë rreth 365 milionë euro për 35 vite vetëm për 17 km rrugë.

Por konkurrimi u anulua në fillim të 2025 me arsyetimin se asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushnin kërkesat e ftesës për procedurën. Me dështimin e garës, thirrja vijoi herën e tretë ku pati 3 oferta dhe u shpall fitues në korrik të 2026 bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Salillari, Alb, Infrakonsult dhe Erald G me diferencë mbi 203 milionë euro më shumë se në kontratën e parë.

Top Channel ka raportuar më herët se dy prej kompanive të këtij konsorciumi lidhen me persona të përfshirë në cështje nën hetim nga Spak. Vetë Balluku në atë kohë gjatë prezantimit të projektbuxhetit  deklaronte se ndryshimi i mënyrës së financimit kishte sjell nevojën e rishikimin e studimit të fizibilitetit të Milot Balldrenit. Dhe këtu lindin shumë pyetje se si u llogarit fatura e ndryshuar me këtë rritje galopante? Mbi çfarë fluksi automjetesh është ndërtuar modeli? Dhe a ndryshoi me kostot edhe mënyra e vlerësimit?

“Ngelen gara fiktive, mbeten në letër por nuk zbatohen sipas procedurave të koncensionit. Gjejnë kompani që do ndërtojnë rrugën, lidhin marrëveshje, por këto nuk bëhen në mënyrë transparente por bëhen në takime të fshehta. Përcaktohet kompania që do e marr dhe në bazë të gjithë këtyre përgatitet dokumentacioni, e pas shumës së dakordësuar përgatitet preventivi që ose trefishohet, ose katërfishohet apo pesëfishohet”, shprehet Romeo Nazarko- inxhinier gjeodet.

Historia e koncensionit për rrugën Milot Balldren nxjerr në pah një model ekonomik ku rishikimi i kontratës gati barazon shpenzimin për ndërtimin e 17 km rrugë me operimin dhe mirëmbajtjen.

Projekti parashikon 182.5 milionë euro për ndërtim dhe rehabilitimin e rrugës Milot Balldren dhe vetëm për mirëmbajtje rutinë dhe operim shuma arrin 168.4 milionë euro.

Pra shifrat tregojnë se Belinda Balluku ka llogaritur kujdesin e rrugës në të njëjtën vlerë që në 2018 konsiderohej kostoja e gjithë koncesionit sipas studimit të fizibilitetit.

Dhe këto të dhëna duhet të bëjnë transparente si u ndërtuan kriteret dhe nga kush u krijua fatura e kostove të fryra që prodhuan këtë rezultat.

Kostot e Projektit të Rrugës Milot-Balldre:

Koncesion/PPP 2018 - 161 500 000 Euro

Koncesion/PPP 2025 - 364,732,924 Euro

Kohëzgjatja e Projektit të Rrugës Milot-Balldre:

Koncesion/PPP 2018   -  13 vite

Koncesion/PPP 2025   -  35 vite./Tch

Po ndodh...