40% e njerëzve zgjedhin me dëshirë injorancën

17 Nëntor 2023, 00:01 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

40% e njerëzve zgjedhin me dëshirë injorancën

Injoranca e vullnetshme ndodh kur dikush shmang qëllimisht informacionin për pasojat negative të veprimeve të veta. Një meta-analizë e re zbuloi se 40% e njerëzve zgjedhin të mbeten injorantë për mënyrën se si vendimet e tyre ndikojnë tek të tjerët. Provat sugjerojnë se injoranca e vullnetshme u ofron njerëzve një justifikim të integruar për të vepruar me egoizëm.

A keni një xhaxha që beson se vaksinat shkaktojnë autizëm, por refuzon të lexojë grupet e studimeve që tregojnë se ato janë të sigurta? Po një mik që shmang informacionin rreth fermës së kafshëve, në mënyrë që të mund të hajë mish të lirë pa u ndjerë në faj? Ose atë drejtues kompanie, që pretendon se biznesi i vet ndjek parimet e etikës, por nuk e heton zinxhirin e furnizimit për shfrytëzimin e mjedisit apo të varfërve?

Secili është një shembull i asaj që psikologët e quajnë injorancë e vullnetshme – akti i qëllimshëm i shmangies së informacionit që zbulon pasojat negative të veprimeve të tua. Për të mos gjykuar: Ne të gjithë kemi një vend në jetën tonë ku kthejmë kokën nga ana tjetër dhe pretendojmë se gjithçka është në rregull. Mund të jetë e natyrës personale, politike ose profesionale, por vetëm nën sipërfaqen e vetëdijshme, ne e dimë se veprimet tona nuk përputhen me vlerat e shpallura.

“Shembuj [të] injorancës së vullnetshme janë të shumta në jetën e përditshme,” thotë Linh Vu, kandidat për doktoraturë në Universitetin e Amsterdamit. “Ne donim të dinim se sa e përhapur dhe e dëmshme është injoranca e qëllimshme, si dhe pse njerëzit e përdorin.”

Për ta zbuluar, Vu dhe një ekip studiuesish kryen meta-analizën e parë mbi provat aktuale empirike të injorancës së vullnetshme dhe analiza u botua në Buletinin Psikologjik, një revistë e Shoqatës Amerikane të Psikologjisë. Ata krahasuan rezultatet e 22 studimeve me një total prej më shumë se 6000 pjesëmarrësish. Ja çfarë gjetën.

Hapësira morale e lëizjes

Eksperimenti klasik për studimin e injorancës së vullnetshme njihet si detyra e hapësirës së manovrimit moral. Është projektuar nga Jason Dana, një profesor i asociuar i marketingut dhe menaxhimit në Yale. Pjesëmarrësve u caktohet rastësisht roli i vendimmarrësit ose pritësit. Vendimmarrësit i jepet një zgjedhje: ata mund të marrin një pagesë prej 5 ose 6 dollarësh. Nëse ata marrin pagesën prej 5 dollarësh, pritësi do të marrë gjithashtu 5 dollarë. Nëse marrin pagesën prej 6 dollarësh, pritësi do të marrë 1 dollar.

Kur u jepet ky informacion nga një studiues, shumica e vendimmarrësve veprojnë në mënyrë altruiste. Ata sakrifikojnë pagesën pak më të madhe për veten e tyre për t’i dhënë pritësit më shumë para. Mesatarisht, vetëm rreth një e katërta e vendimmarrësve veprojnë me egoizëm. Por dhënia e informacionit të plotë është thjesht kontrolli. Eksperimenti në të vërtetë fillon kur studiuesit bëhen më pak të drejtpërdrejtë.

Në gjendjen eksperimentale, vendimmarrësit sërish mund të zgjedhin midis pagesave prej 5 ose 6 dollarësh, por këtë herë nuk u thuhet se çfarë do të marrë pritësi. Ka një shans 50-50 që pritësi të marrë 5 dollarë ose 1 dollar. Më e rëndësishmja, vendimmarrësit mund t’i pyesin studiuesit se çfarë pagese do të marrë pritësi, dhe ata mund ta bëjnë këtë pa kosto për veten e tyre. Me fjalë të tjera, ndërkohë që vendimmarrësit e fillojnë ekspertimentin të painformuar mbi pasojat e veprimeve të tyre, ata mund të mos mbeten të tillë nëse nuk duan.

Në studimin fillestar të Dana-s të vitit 2007, 44% e vendimmarrësve në gjendjen eksperimentale zgjodhën të qëndronin injorantë me dashje dhe morën opsionin egoist.

Disa studime në meta-analizë ishin variacione të këtij projekti origjinal. Për shembull, një version i lojës përfshinte negociatat ultimatum, ku pritësi mund të pranonte ose refuzonte ofertën e vendimmarrësit. Nëse ata e refuzonin atë, të dy pjesëmarrësit largoheshin duarbosh. Një version tjetër kishte anëtarët e grupit që votonin për pagesat për grupin dhe një pritës të panjohur.

Por në të gjitha studimet, studiuesit zbuluan se ndarja origjinale e Danës ishte mjaft e qëndrueshme. Mesatarisht, 40% e njerëzve zgjidhnin të mos mësonin për pasojat e veprimeve të tyre dhe një injorancë e tillë shoqërohej me më pak altruizëm në krahasim me ata që u informuan.

Injoranca si justifikim

Studiuesit supozuan dy motive të mundshme për injorancën e qëllimshme. Së pari, ata menduan se injoranca e vullnetshme mund të ofrojë një justifikim për të mos vepruar me bujari. Nëse një person nuk i di pasojat e veprimeve të tij, atëherë ai sërish mund ta konsiderojë veten një individ moralisht të qëndrueshëm edhe nëse vendos të veprojë me egoizëm. Injoranca e vullnetshme shërben për të mbrojtur imazhin e tyre për veten.

Motivimi i dytë i mundshëm njihet si “pavëmendshmëria njohëse”. Kjo do të thotë, njerëzve nuk u pëlqen të mendojnë më shumë sesa duhet. Mund të rrjedhë nga dembelizmi, mungesa e vëmendjes, apo mosdashja për të marrë kohë për të mësuar më shumë. Sido që të jetë, ata favorizojnë vendimin e shpejtë dhe të kollajtë – edhe sikur të kishin vepruar në mënyrë altruiste, nëse do të ishin informuar paraprakisht.

Për ta testuar këtë, studiuesit krahasuan zgjedhjet e pjesëmarrësve që zgjodhën të informoheshin me ata që mësuan për pasojat si parazgjedhje. Studiuesit arsyetuan se nëse nxitësja ishte pavëmendshmëria njohëse, atëherë përqindja e altruizmit do të ishte afërsisht e njëjtë mes të dyve.

Nga ana tjetër, nëse ata që zgjodhën të mësonin për pasojat do të vepronin më bujarisht, kjo do të sugjeronte që personat e informuar me parazgjedhje do të kishin “përzgjedhur vetë” të mbeteshin injorantë nëse u jepej opsioni. Dhe kjo është ajo që studiuesit gjetën. Në të gjithë studimet, pjesëmarrësit që zgjodhën të informoheshin për pasojat kishin 7% më shumë gjasa të bënin zgjedhjen altruiste.

“Gjetjet janë fantastike, pasi sugjerojnë se shumë nga sjelljet altruiste që vëzhgojmë janë të nxitura nga dëshira për t’u sjellë ashtu siç presin të tjerët nga ne,” thotë Shaul Shalvi, bashkëautor dhe profesor i etikës së sjelljes në Universitetin e Amsterdamit.

Ai shtoi: “Një pjesë e arsyeve pse njerëzit veprojnë në mënyrë altruiste janë për shkak të presioneve shoqërore si dhe dëshirës së tyre për ta parë veten në një dritë të mirë. Meqenëse të qenit i drejtë shpesh kushton, kërkon që njerëzit të heqin dorë nga koha, paratë dhe përpjekjet e tyre. Injoranca ofron një rrugëdalje të kollajtë.”

Thënë kjo, analiza nuk mund të eliminonte pavëmendshmërinë konjitive si një motivim të mundshëm. Në fakt, injoranca e qëllimshme mund të jetë efekti kumulativ i shumë motivimeve, përfshirë ato që nuk merren parasysh në meta-analizë, siç është reputacioni. Të dhënat thjesht sugjerojnë se mbajtja e një imazhi pozitiv për veten është një nga këto motivime.

Pak më pak injorantë për injorancën e vullnetshme

Meta-analiza ka kufizime që duhen përmendur. Si fillim, pjesëmarrësit në masë dërrmuese erdhën nga Evropa dhe SHBA, që do të thotë se rezultatet mund të mos përsëriten në kultura të tjera. Studimet panë gjithashtu injorancën e qëllimshme në laborator kundrejt vendimeve aktuale në botën reale. Së fundi, ata u përqendruan në detyra diskrete, që do të thotë se ato kryheshin vetëm një herë. Është e mundur që raundet e vazhdueshme të dhënies dhe marrjes midis vendimmarrësit dhe pritësve do të jepnin rezultate të ndryshme (si në shumë lojëra të teorisë së lojës).

Megjithatë, autorët arrijnë në përfundimin se “të marra së bashku, provat e përgjithshme sugjerojnë se injoranca është me të vërtetë pjesërisht “e vullnetshme” dhe e nxitur nga motivet e kërkimit të justifikimit dhe të ruajtjes së imazhit të vetvetes”. Falë tyre, të gjithë jemi pak më pak injorantë për injorancën. / Big Think – Bota.al

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128