
Ekzistencializmi/ Evolucioni, krijimi dhe origjina

Origjina e njeriut është gur qosheje për çdo botëkuptim mbi botën. Çdo shqyrtim për çështjen se si duhet të jetojë njeriu na kthen vazhdimisht te prejardhja e tij. Përgjigjet e shkencës e të religjionit, si dhe për çështjet e tjera, janë kontraverse.
Shkenca formimin e njeriut e sheh si rezultat i një procesi të gjatë evolutiv nga trajtat e ulëta të jetës, ku kufiri ndërmjet zoologjikes dhe njerëzores nuk është i theksuar dhe ku ekziston një periudhë e gjatë kalimtare e majmunit-njeri a e njeriut majmun.
Çfarëdo të marrë për moment vendimtar - ecjen e drejtuar, përpunimin ose shërbimin me almise, fillimin e të folurit të artikulluar - për shkencën ai mbetet përherë një fakt i jashtëm, material, qoftë kur është fjala për zhvillimin e konstitucionit fizik të njeriut, qoftë për shërbimin me natyrën përreth vetes. Njeriu këtu është fëmijë i natyrës, që rritet në gjirin e saj dhe nuk ndahet nga ajo.
Përkundrazi, religjioni dhe arti flasin për krijimin e njeriut, për diçka që s’është proces, por akt hyjnor, për diçka që nuk vijon, nuk rrjedh, por që është akt i çastit, tragjik, katastrofal. Vizioni i krijimit të njeriut, i pranishëm në pikturat e ndryshme thuaja te të gjitha religjionet, flet për flakjen e njeriut në materie, për “rënien” e tij në tokë, për kundërthëniet e njeriut e të natyrës, për takimin e njeriut me një botë të huaj, armiqësore.
Pyetja se a është njeriu rezultat i zhvillimit apo është “i krijuar” shndërrohet kështu në pyetjen kush është ai, a është pjesë e botës, apo ndryshon nga ajo.
Për materialistin njeriu është “shtazë e përkryer”, “homme machine”, “aparaturë biologjike”. Ndërmjet njeriut dhe shtazës është vetëm ndryshimi i shkallës, jo i cilësisë. S’ka esencë të veçantë njerëzore.
Ekziston vetëm “nocioni konkret, historik e shoqëror i njeriut”, kurse “historia ekonomike e shoqërore është e vetmja konkrete dhe që ekziston vërtetësisht” (György Lucacs, Ekzistencializmi ose marksizmi).
“Njeriu është një sistem, si dhe çdo sistem tjetër në natyrë, që i nënshtrohet ligjeve të pashmangshme e të përgjithshme të natyrës së tërë” (Ivan Pavlov, Psichologie experimentale). Në evolucionin e njeriut ndërmjetëson një faktor i jashtëm, objektiv - puna. “Njeriu është produkt i mjedisit të jashtëm dhe i punës së vet” (F. Engels).
Krijimi i njeriut del si një proces i jashtëm, biologjik, i përcaktuar nga faktorë të jashtëm, materialë. “Dora nxit dhe njëkohësisht nxiton zhvillimin e jetës psikike... “Zbulimi” i saj si dhe “zbulimi” i ligjërimit, shënon fundin e historisë zoologjike dhe fillimin e historisë njerëzore” (H. Berr në parathënie të veprës së Morganit, L’humanite prehistorique).
Këto qëndrime të qarta e bindëse duken fare evidente. Mirëpo nuk duken aq evidente po të thuhet se në një farë dore paraqesin mohimin e qartë të njeriut.
Në shkencën dhe në filozofinë materialiste njeriu shpërbëhet në “pjesë përbërëse” dhe duket sikur në fund të procesit humbet plotësisht. Së pari Engelsi analizon njeriun shoqëror dhe dëfton se si ai është produkt i marrëdhënieve shoqërore, ose më saktë, i marrëdhënieve ekzistuese prodhuese. Vetë njeriu këtu s’është asgjë dhe s’krijon asgjë; përkundrazi, ai është rezultat i këtyre fakteve, që janë të dhëna.
Një njeri të këtillë të pavetësuar dhe të reduktuar në fakt biologjik e merr tash në duar Darwini, që do të na shpalojë tejet me konsekuencë se si produkt i seleksionimit natyror dhe i luftës për ekzistencë kjo krijesë që flet, që ecën vertikalisht dhe bën almise zhvillohet shkallë-shkallë nga paraardhësit e vet të afërt shtazorë.
Skemën e këtij procesi do ta përfundojë biologjia, duke dëftuar se si këto trajta të botës së gjallë reduktohen në trajta fillestare të jetës, ndërkaq këto në instancën e fundit në fiziko-kimi, përkatësisht në lojë të forcave molekulare. Jeta, vetëdija dhe fryma njerëzore në të vërtetë nuk ekzistojnë. Ato janë vetëm aspekte të veçanta të ndërlikuara të aksionit të ndërsjellë të këtyre forcave pavetësore. S’ka kurrfarë esence origjinale e të “pandarë” njerëzore.
Po qe se tani nga kjo skemë e vrërët paksa, por e qartë dhe e kuptueshme sakaq hidhemi me mendje në brendinë e Kishëzës Sikstina para afreskeve të famshme të Michelangelos në kupën e saj dhe përshkojmë me sy nga Dëbimi prej Parajse përmes Krijimit të Adamit deri te Gjyqi i tmerrshëm mbi altar, do të detyrohemi të pyesim: ç’domethënie kanë këto piktura, që konsiderohen si vepra mbase më tronditëse artistike të të gjitha kohëve?
A ngërthejnë në vete farë të vërtete për temat e mëdha për të cilat flasin? Po qe se ngërthejnë, ku qëndron ajo e vërtetë? Ose më saktësisht: në ç’mënyrë këto piktura janë sidoqoftë të vërteta?
Tragjeditë greke, vizionet e Dantes për qiellin e ferrin, këngët shpirtërore zezake, dramat e Shakespeareit, prologu i Faustit në qiell, maskat malajziase, afresket e vjetra japoneze ose pikturat e disa piktorëve bashkëkohorë - marr këta shembuj të një rendi të veçantë, sepse nga kjo pikëpamje tërë arti është dëshmi unike dhe e njëjtë - sheshazi nuk kanë të bëjnë fare me njeriun e Darwinit, as nuk mund të paramendohen si përshtypje e tij për veten dhe për botën që e rrethon.
Ç’ndjenjë e botës qëndron prapa nocionit “religjioni i shpëtimit”? Ç’do të thotë ky emërtim dramatik? Ç’domethënie mund të ketë drama e një ekzistence që reduktohet në këmbim materie ndërmjet qenies dhe natyrës?
Ç’supozime e parandjenja flejnë në bazën e vizatimeve të Ernst Neizvestnit me temën e Ferrit të Dantes? Pse frika si ndjenjë universale e çdo gjëje që jeton, në qoftë se jeta dhe njeriu u krijuan në gjirin e “nënës natyrë”?
Këto pyetje sakaq pamjen e botës që na ka skicuar shkenca e bëjnë jo të plotë dhe të pamjaftueshme. Në të vërtetë, shkenca madje nuk jep pamje të vërtetë të botës; në vend të saj ofron fotografinë besnike, por pa një dimension të tërë të njëmendësisë.
Për mungesë të këtij dimensioni të tretë, të brendshëm, karakteristik për çdo krijim shkencor, shprehet pafuqia a paaftësia e shkencës të thotë çfarëdo të vërtetë definitive e të plotë për jetën dhe veçanërisht për njeriun. Në analizat e saj prej logjike të hekurt jeta mbetet pa jetë, ndërkaq njeriu pa njerëzoren.
Shkenca mbi njeriun është e mundshme në qoftë se ajo është pjesë e botës së jashtme dhe produkt i tij (në atë masë sa është ai send). Anasjelltas, arti është i mundshëm vetëm në qoftë se njeriu ndryshon nga natyra, nëse është i huaj në të (nëse është personalitet). Pjesa më autentike e artit është histori e këtij mërgimi.
Kështu, rreth çështjes së origjinës e të natyrës së njeriut shkenca dhe arti gjenden në një përleshje të plotë e të pashmangshme. Shkenca vë në pah fakte e të dhëna të panumërta dhe veçanërisht fosilet e mbledhura e të studiuara me kujdes, që imponojnë konkludimin për zhvillimin e shkallëshkallshëm të njeriut nga bota shtazore.
Arti shpalon dëshmitë e veta tronditëse për ardhjen e njeriut nga e panjohura, nga të cilat asnjë zemër njerëzore s’mund të heqë dorë tërësisht. Shkenca mbështetet te sinteza vigane e Darwinit; arti te Michelangelo dhe te karta e tij grandioze në kupën e Kishëzës Sikstina.
Darwini e Michelangelo në këtë mënyrë mishërojnë dy botëkuptime tërësisht të ndryshme për njeriun dhe dy të vërteta kontradiktore për origjinën e tij, të cilat asnjëherë s’do ta mposhtin njëra-tjetrën. I pari mbështetet në një numër të madh faktesh të pakundërshtueshme, i dyti shkruhet në zemrat e të gjithë njerëzve./ Alfapress.al

Doktor, lëri djemtë të kthehen në shtëpi!
ide

Internacionalizmi ortodoks i kryeministrit

Demokratë reflektoni, Foltore liro zyrat e PD!

top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128