SpaceX raketë të re në hapësirë, përfundon me shpërthim prova e dytë

18 Nëntor 2023, 21:43 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

SpaceX raketë të re në hapësirë, përfundon me

Kompania SpaceX nisi raketën e saj gjigante Starship, por gjatë minuta të para të fluturimit u dëmtuan nga shpërthimet pajisja shtytëse dhe vetë anija hapësinore. Raketa mbërriti në hapësirë pas nisjes nga Teksasi jugor dhe më pas humbi papritmas komunikimin me Tokën. Sipas zyrtarëve të kompanisë SpaceX, duket se sistemi i vetëshkatërrimit shpërtheu mbi Gjirin e Meksikës.

Pak minuta më vonë, shpërtheu gjithashtu edhe pjesa shtytëse. Sidoqoftë, deri në atë moment ishte përfunduar funksioni kryesor i misionit të provës.

Prova e së shtunës zgjati rreth tetë minuta, gati sa dyfishi i provës së parë të bërë në muajin prill, që gjithashtu përfundoi me një shpërthim. Fluturimi i fundit mori fund ndërsa gjashtë motorët e anijes hapësinore pothuajse kishin përfunduar procesin e shtytjes për ta vendosur atë në një trajektore udhëtimi përreth globit.

Me gjatësi prej 121 metrash, raketa Starship është raketa më e madhe dhe më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë, me objektivin për të transportuar njerëz drejt Hënës dhe Marsit.

“Qershia mbi tortë sot ishte nisja e suksesshme”, tha komentatori i kompanisë John Insprucker, duke vënë në dukje se 33 motorët shtytës kishin funksionuar siç duhet, në dallim nga hera e mëparshme. Gjithashtu, pjesa shtytëse u shkëput me sukses nga mjeti hapësinor, që arriti në një lartësi prej 148 kilometrash.

Komentuesja Kate Tice shtoi se: “Kemi mbledhur kaq shumë të dhëna që do të na ndihmojnë të përmirësojmë fluturimin e ardhshëm”.

Themeluesi i kompanisë SpaceX, Elon Musk, e ndoqi nisjen nga qendra e kontrollit në cepin jugor të Teksasit, pranë kufirit me Meksikën. Edhe në selinë qendrore të kompanisë në Kaliforni, punonjësit brohoritën ndërsa fluturonte raketa Spaceship. Salla ra sidoqoftë në qetësi kur u bë e qartë se raketa ishte shkatërruar.

Kompania SpaceX kishte në objektiv arritjen e një lartësie prej 240 kilometrash, që do të ishte e mjaftueshme për ta nisur anijen hapësinore në rrotullimin përreth globit, përpara se të binte në Paqësor, pranë Havajit, rreth 1 orë e gjysmë pas nisjes, pa arritur dot të përshkonte një rrotullim të plotë në orbitë.

Pas provës së prillit, kompania SpaceX bëri përmirësime të shumta për raketën, si dhe platformën e lëshimit. Administrata Federale e Aviacionit miratoi fluturimin për raketën të mërkurën, pasi konfirmoi se ishin përmbushur të gjitha kriteret e sigurisë dhe ato mjedisore.

NASA dëshiron që kompania Starship të nisë astronautë drejt Hënës deri në fund të vitit 2025. NASA i dha kompanisë SpaceX një kontratë prej 3 miliardë dollarësh për këtë projekt. Raketa Starship është 10 metra më e gjatë se raketa e NASA-s Saturn V që dërgoi njerëz në Hënë mbi gjysmë shekulli më parë. /VOA/

Po ndodh...