NASA nis teleskopin “Roman” në hapësirë: Do të studiojë misteret më të mëdha të universit

30 August 2026, 21:08 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS
NASA nis teleskopin “Roman” në hapësirë: Do të

NASA ka nisur në hapësirë teleskopin e ri Nancy Grace Roman, i cili do të studiojë disa nga misteret më të mëdha të universit.

Teleskopi, i cili mban emrin e një prej grave të para që ka mbajtur një post drejtues në NASA, u lëshua sot nga Kepi Kanaveral në Florida, në bordin e raketës “Falcon Heavy” të kompanisë “SpaceX” të Elon Musk.

Pritet që teleskopi të arrijë destinacionin e tij, rreth 1,6 milionë kilometra larg Tokës, brenda afro një muaji, ndërsa imazhet e para pritet të dërgohen në fillim të vitit 2027.

Misioni ka një buxhet total prej mbi 4 miliardë dollarësh.

Misioni kryesor i Roman është studimi i energjisë së errët dhe materies së errët, dy komponentë misteriozë që përbëjnë pjesën më të madhe të universit.

Teleskopi do të studiojë gjithashtu mënyrën se si funksionon graviteti në shkallë të mëdha dhe do të kërkojë ekzoplanetë, pra planetë jashtë sistemit tonë diellor.

Roman do të udhëtojë rreth 1.6 milionë kilometra larg Tokës, drejt një zone të hapësirës të njohur si Pika e Lagranzhit 2.

Misioni është planifikuar të zgjasë të paktën pesë vjet, por teleskopi mund të ketë karburant për të funksionuar edhe pesë vite të tjera.

Një nga objektivat kryesore është krijimi i hartës më të detajuar 3D të universit deri më tani. Vëzhgimet do të mbulojnë më shumë se dy miliardë galaktika

Teleskopi “Roman” funksionon në mënyrë të ngjashme me Teleskopin Hapësinor “Hubble”, i lëshuar në vitin 1990, por është projektuar për të vëzhguar zona shumë më të mëdha të qiellit dhe me një shpejtësi shumë më të lartë.

Sipas shkencëtarëve të NASA-s, vëzhgimet që “Roman” mund t’i realizojë brenda një muaji, “Hubble” do t’i kryente për rreth një shekull.

Gjatë më shumë se 35 viteve në hapësirë, “Hubble” ka mbledhur rreth 400 terabajt të dhëna, ndërsa pritet që “Roman” të prodhojë mbi 500 terabajt të dhëna çdo vit.

Ndërkohë, Teleskopi Hapësinor “James Webb”, i lëshuar në fund të vitit 2021 për të plotësuar punën e “Hubble”, vëzhgon universin në gjatësi vale të ndryshme nga “Hubble” dhe “Roman”.

Po ndodh...