Nga tingujt e Labërisë në Hollywood, gazeta austriake: Mjeshtri shqiptar i fyellit në filmin “Odisea” përfundoi si punëtor pastrimi me një pension qesharak

Nga Franziska Tschinderle, PROFIL
Kur Vendim Kapaj flet për fyellin e tij, sytë i mbushen me lot. Instrumenti, thotë ai, vlen më shumë se çdo gjë tjetër që zotëron. Është një fyell i vërtetë magjik. Vetëm katër fëmijët e tij janë më të çmuar, thotë ai, por fëmijët dhe fyelli janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Megjithatë, për Kapajn fyelli është një trashëgimi familjare. Prej 300 vitesh ai është përcjellë brez pas brezi, nga babai te djali, gjithmonë tek ai që ka treguar talent për muzikën.
Kapaj, i lindur në vitin 1959 në një fshat të vogël të Shqipërisë së Jugut, nisi t’i binte fyellit që në moshën 11-vjeçare. Ai nuk e ka braktisur kurrë dhe nuk e ka humbur asnjëherë. As në vitet ’90, kur si emigrant kaloi kufirin drejt Greqisë për të kërkuar punë.
Një instrument shumë i lashtë
Emri i instrumentit të Kapajt është i vështirë të përkthehet në gjermanisht. Në shqip quhet thjesht “fyell”. Bëhet fjalë për një instrument shumë të lashtë, prej druri ose metali, që tradicionalisht luhet nga barinjtë në zonat malore të Shqipërisë dhe Ballkanit.
Kapaj konsiderohet si një nga fyelltarët më të mirë, ndoshta edhe më i miri në Shqipëri. Ai ka interpretuar në festivale muzikore, me orkestra simfonike, në televizione dhe në gara muzikore jashtë vendit. Sipas tij, ka shitur rreth 6 mijë CD.
Megjithatë, ai nuk ka mundur kurrë të jetojë vetëm nga muzika. Ajo ka qenë gjithmonë një burim shtesë të ardhurash: herë duke luajtur në ditëlindje, herë në dasma.
Në korrik të vitit 2025, një këngëtar mik nga zona e telefonoi dhe i tha se në qytet ndodhej një kompozitor suedez që dëshironte ta dëgjonte duke luajtur. Kapaj nuk bëri asnjë pyetje. Ai shkoi ta takonte në një teqe, një qendër fetare e një urdhri dervishësh.
Teqeja është pothuajse po aq e vjetër sa edhe fyelli i tij. Ajo është ndërtuar në shekullin XVII dhe ndodhet mbi një kodër me pamje nga deti.
Aty Kapaj i luajti kompozitorit suedez pjesë me fyell për pesë orë rresht. Të thuash se mysafiri i huaj mbeti i mahnitur është pak. Kapaj tregon se kompozitori, të cilin ai nuk e njihte më parë, u prek aq shumë sa iu mbushën sytë me lot.
Më pas, sipas kujtimit të Kapajt, ai i tha: “Zoti më ka sjellë te mjeshtri”.
Kontratën nuk e lexoi me kujdes
Pas takimit, suedezi dhe ekipi i tij mblodhën pajisjet e regjistrimit, shkuan së bashku për të ngrënë dhe i dhanë Kapajt një kontratë, të cilën ai e firmosi pa e lexuar me shumë kujdes.
Pas kësaj, ai nuk dëgjoi më asgjë nga suedezi dhe me kalimin e kohës e harroi pothuajse fare atë ngjarje.
Derisa, një javë më parë, shpërtheu një interes i madh mediatik dhe shumë njerëz nisën ta pyesnin për fyellin e tij.
Arsyeja ishte premiera në kinema e një superproduksioni hollivudian me një buxhet prej 250 milionë dollarësh. Më 17 korrik, filmi “Odisea”, me regji të Christopher Nolan dhe i bazuar në veprën klasike të Homerit, u shfaq në kinematë e botës. Në të luajnë disa nga emrat më të mëdhenj të kinemasë, si Matt Damon, Anne Hathaway, Zendaya dhe Robert Pattinson.
Ndërsa mediat dhe kritikët shkruanin për filmin e ri të Nolanit, Kapaj u vu papritur në qendër të vëmendjes së mediave shqiptare. Televizionet publikuan një pamje të listës së artistëve që kishin kontribuar në kolonën zanore të filmit.
Mes tyre ishte James Blake, këngëtari britanik i njohur për këngën “Retrograde”, e cila ka mbi 140 milionë dëgjime. Por në atë listë të shkurtër shfaqej edhe një emër tjetër:
Fyell – Vendim Kapaj.
Vetëm atëherë 67-vjeçari kuptoi se për çfarë qëllimi kompozitori suedez kishte regjistruar interpretimin e tij.
Kapaj këmbëngul se gjatë takimit në teqenë e dervishëve nuk dinte asgjë për ndonjë film. Ai thjesht kishte bërë atë që bën gjithmonë kur dikush i kërkon me respekt të luajë: kishte marrë fyellin, e kishte vendosur në buzë dhe kishte nisur muzikën.
Dhe tani tingujt e tij ishin pjesë e kolonës zanore të një filmi hollivudian.
Dikush mund të mendonte se Kapaj ndihej i mashtruar ose i lënë mënjanë. Por ai nuk mban mëri dhe nuk është i zemëruar.
“Jam krenar dhe i lumtur, sepse e kam çuar vendin tim në Hollywood”, thotë ai.
Suedezi që kishte ardhur në Shqipërinë e Jugut në korrik të vitit 2025 ishte kompozitori i njohur Ludwig Göransson, fitues i tre çmimeve Oscar, gjashtë çmimeve Grammy, dy Golden Globe dhe dy Emmy.
Revista PROFIL i dërgoi atij një kërkesë për të komentuar këtë histori, por deri në mbylljen e numrit nuk mori përgjigje.
Edhe Göranssoni, ashtu si Kapaj, mori instrumentin e tij të parë muzikor që në moshë të vogël: një kitarë elektrike. Kur një orkestër simfonike interpretoi kompozimin e tij të parë, ai ishte vetëm 16 vjeç.
Më pas studioi në akademinë e muzikës, u zhvendos në Los Anxhelos dhe u bë kompozitor filmash. Së fundmi ai ka kompozuar muzikën për “Oppenheimer”, një tjetër film i regjisorit britaniko-amerikan Christopher Nolan.
Kapaj nuk dëshiron të tregojë se sa është paguar për regjistrimin e verës së kaluar. Kjo, thotë ai, është çështje private. Por duket se shuma nuk ka qenë e madhe, pasi gjatë bisedës ai pranon se në disa dasma në Shqipëri është paguar më shumë.
Kapaj merr një pension prej 100 eurosh në muaj. Dhe këtë vetëm sepse disa vite më parë u punësua për një periudhë të shkurtër në bashki.
Gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij ai nuk kishte paguar sigurime shoqërore apo taksa, diçka që në Shqipërinë e viteve ’90 dhe 2000, pas rënies së komunizmit, ishte e zakonshme.
Për të fituar të drejtën e një pensioni minimal, ai punoi për dy vjet e gjysmë në Bashkinë e Vlorës, si punonjës i pastrimit të qytetit.
Me pensionin e tij nuk mund të jetojë, thotë ai. 100 eurot shkojnë menjëherë për faturat e energjisë elektrike dhe ujit.
“Fatmirësisht kam fëmijët e mi”, thotë ai. Ata kujdesen për të dhe ai thotë se bën një jetë të mirë.
“Media në Shqipëri më paraqet sikur jam pa para. Kjo nuk është e vërtetë. Unë jam një njeri i kënaqur”, thotë Kapaj.
15 ditë në këmbë deri në Athinë
Njëra nga vajzat e Kapajt, tregon ai me krenari, ka studiuar psikoterapi në Vjenë. Një vajzë tjetër punon në Prokurori.
Kur Kapaj shkroi në grupin familjar në WhatsApp se muzika e tij ishte pjesë e filmit të ri të Christopher Nolanit, njëra nga vajzat iu përgjigj:
“Çfarë rastësie, unë po lexoj pikërisht librin.”
Edhe Kapaj i njeh udhëtimet e vështira të Odiseut dhe, në njëfarë mënyre, edhe ai ka pasur odiseunë e tij. Udhëtimi i tij e çoi në vende të ndryshme të Mesdheut dhe, për një periudhë të jetës, ishte i mbushur me vështirësi e dhimbje.
Pas rënies së komunizmit, qindra mijëra shqiptarë u larguan nga vendi si emigrantë drejt Italisë ose, si Kapaj, drejt Greqisë.
Ndjenja e të qenit i huaj në një vend të ri, malli për fshatin, familjen dhe gjuhën e tij krijuan një traditë të veçantë muzikore, thotë Kapaj. Punëtorët emigrantë e kthyen dhimbjen e tyre në këngë dhe melodi.
Në shqip ekziston një shprehje për këtë:
“Kurbeti është më i zi se korbi.”
Edhe këto këngë të dhimbjes ia luajti Kapaj kompozitorit të famshëm suedez. Bashkë me muzikën, ai i tregoi edhe një pjesë të historisë së jetës së tij.
Kapaj lindi në vitin 1959 në një fshat të quajtur Kërkovë. Nga kodrat e fshatit shihet deti dhe Sazani, ishulli më i madh i Shqipërisë. Ky është vendi ku Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, planifikon të ndërtojë një resort luksoz.
Në fëmijërinë e Kapajt një gjë e tillë do të ishte e paimagjinueshme. Shqipëria ishte një vend i izoluar dhe shërbimi sekret kontrollonte me kujdes lëvizjet e njerëzve. Ata që tentonin të arratiseshin përballeshin me rrezikun e vrasjes në kufi.
Gjatë diktaturës, Kapaj punonte në industrinë e naftës. Pas rënies së regjimit ai bëri atë që bënë shumë burra në Shqipërinë e Jugut: u largua për të kërkuar punë jashtë vendit.
Në vitin 1991, ai përshkoi në këmbë rrugën nga fshati i tij deri në Athinë. Udhëtimi zgjati 15 ditë. Kur mbërriti, këmbët i ishin mbushur me plagë.
Në çantë kishte bukë, sheqer dhe fyellin 300-vjeçar të familjes.
Gjatë rrugës ai luante herë pas here në rrugë dhe fitonte pak para, por sapo mbërriti në Athinë ndaloi së luajturi.
Një mik shqiptar e pyeti pse nuk luante në metro për të fituar para.
Kapaj iu përgjigj:
“Unë jam artist.”
Për të, të luante muzikë vetëm për të marrë para nga kalimtarët ishte diçka që cenonte dinjitetin e tij.
Në vend të kësaj, ai gjeti punë në një kamping në gadishullin e Peloponezit, “Camping Paradise”, ku kujdesej për pastrimin e plazhit me rërë.
Pronarët e trajtuan mirë, por përveç kësaj ai u përball shpesh me racizëm, sepse ishte mysliman dhe sepse emri i tij ishte i vështirë për grekët për t’u shqiptuar.
Për këtë arsye ai nisi të përdorte emrin “Christos”, që do të thotë “i shenjtëruari”, dhe u pagëzua jo aq nga bindja fetare, por për t’u përshtatur me shoqërinë ku jetonte.
Odiseu u kthye në shtëpi pas një udhëtimi dhjetëvjeçar. Për Kapajn, kthimi ndodhi pas pesë vitesh.
Por më pas erdhi drama më e madhe e jetës së tij.
Për dekada me radhë, kapitalizmi kishte qenë i ndaluar në Shqipëri. Për këtë arsye, shumë njerëz kishin pak njohuri mbi investimet dhe mënyrën e funksionimit të tregut financiar.
Në vitin 1997, mijëra familje shqiptare humbën kursimet pasi investuan në skema piramidale mashtruese.
Kapaj humbi të gjitha paratë që kishte fituar me aq mund në Greqi.
“Ishte e dhimbshme”, thotë ai sot, “por nuk isha i vetmi.”
Në kulmin e krizës së skemave piramidale, sipas vlerësimeve, deri në 75 për qind e familjeve shqiptare kishin investuar para në to, me një vlerë totale prej më shumë se 1 miliard dollarësh amerikanë.
Puna e fundit: punëtor pastrimi
Pas humbjes së parave, Kapaj u detyrua të niste gjithçka nga e para.
Ai punoi në kantiere ndërtimi, në furra buke, si shitës peshku dhe, në fund të jetës së tij profesionale, edhe si punonjës i pastrimit të qytetit.
Atij nuk i pëlqen që pikërisht këto pamje të tij po qarkullojnë tani në media. Dhe është e kuptueshme.
Ai, fyelltari i talentuar që gjatë gjithë jetës ka bërë shumë punë të ndryshme, po reduktohet sot vetëm te profesioni i tij i fundit.
Të hënën, më 20 korrik, Kapaj shkoi me familjen e tij në një kinema Cineplexx në Tiranë.
Për herë të parë ai pa filmin për të cilin nuk dinte asgjë më parë dhe që tani kishte sjellë kaq shumë vëmendje.
Në një nga skenat ai e njohu menjëherë tingullin e fyellit të tij.
Odiseu është i lidhur pas direkut të anijes për t’i bërë ballë këngës magjepsëse të sirenave.
I pushtuar nga dëshira për t’iu afruar këngës së tyre, ai u kërkon shokëve të tij t’i heqin prangat. Por ata nuk e dëgjojnë.
Odiseu përjeton një dhimbje të madhe dhe bërtet i dëshpëruar.
Në atë moment, pothuajse e mbuluar nga zhurma dhe britmat e skenës, dëgjohet një melodi e butë, si një jehonë e largët: fyelli magjik i Vendim Kapajt.
Po ndodh...
Rama & Berisha, tango e shëmtuar antiprotestë
ide
(Pa)Besa e Edi Ramës!
Të gjithë po e lexojnë gabim këtë protestë
Diktatura që nuk ka nevojë për pranga
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128