“Nuk shitet Shqipëria! Shitet qeveria!”/ Përfundojnë fjalimet, turma e protestuesve vërshon në marshim përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”

5 September 2026, 21:23 / POLITIKË ALFA PRESS
“Nuk shitet Shqipëria! Shitet qeveria!”/ Përfundojnë

Sakaq kanë përfunduar fjalimet kryesore nga platforma e vendosur përpara godinës së ekzekutivit, dita e 98-të e qëndresës popullore ka kaluar në një tjetër fazë përshkallëzimi me nisjen e një marshimi masiv përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Mijëra qytetarë të rreshtuar krah për krah kanë bllokuar plotësisht aksin qendror të kryeqytetit, duke marshuar me parulla të mëdha në duar që i drejtohen si faktorit qeveritar ashtu edhe atij ndërkombëtar.

Në ballë të marshimit spikasin banderolat me mesazhet e prera “Shqipëria nuk është në shitje” si dhe thirrjet e përsëritura për dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama. Denoncimet për kapjen e shtetit, shitjen e pasurive kombëtare dhe korrupsionin galopant po shoqërohen me brohoritje të vazhdueshme nga turma në lëvizje.

Energjia e treguar në rrugë pas 98 ditëve protestë të pandërprerë shërben si një paralajmërim i qartë për mazhorancën përpara 8 shtatorit, ditë kur pritet grumbullimi masiv përpara Parlamentit në orën 17:00 për të bllokuar rinisjen e punimeve të Kuvendit. Marshimi po vijon nën monitorimin e rreptë të forcave të policisë, ndërsa protestuesit shprehen të vendosur për të mos braktisur rrugën.

 

 

Po ndodh...

ide