Park diellor mbi tokë bujqësore në Lushnje, Rama i jep leje speciale mikut të tij

26 October 2026, 14:26 / AKTUALITET ALFA PRESS

Park diellor mbi tokë bujqësore në Lushnje, Rama i jep leje

Mbi 57 hektarë tokë bujqësore në Savër të Lushnjes do të mbulohen nga panelet diellore. Përmes një vendimi, që anashkalon ligjin, Këshilli Kombëtar i Territorit i ka dhënë leje speciale kompanisë 3X Energy, që të ngulë panelet në tokën pjellore.

Edi Rama i jep leje speciale mikut të tij të ndërtojë park

Trajtimi special për kompaninë, e cila zotërohet nga biznesmeni Agim Xhindoli, një mik i kryeministrit Edi Rama, rikthen edhe një herë debatin e sakrifikimit të tokave produktive bujqësore për fotovoltaikët.

Konflikti me Planin Urbanistik të Bashkisë

Sipas Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Lushnjë, zonat kadastrale ku është projektuar ky investim (nën njësitë strukturore 1/280, 1/34 dhe 1/21) mbajnë kodin e prerë “K. Baze Propozuar Bujqësi”.

Edi Rama i jep leje speciale mikut të tij të ndërtojë park

Sipas rregullave standarde urbanistike në fuqi në nivel lokal, në këto parcela lejohet ekskluzivisht vetëm aktiviteti bujqësor ose ndërtimet ndihmëse si sera, stane apo magazina për depozitimin e produkteve bujqësore.

Nga ana tjetër, një impiant energjetik i këtyre përmasave klasifikohet plotësisht si infrastrukturë industriale, gjë që e bënte automatikisht të ndaluar dhe të paligjshëm ndërtimin e tij në këtë zonë të Myzeqesë.

“Zgjidhja” përmes Rregullores së Veçantë për mikun e Kryeministrit

Për të kapërcyer këtë nyjë ligjore dhe ngërçin urbanistik të bashkisë që bllokonte projektin e biznesmenit Xhindoli, qeveria ka aplikuar një instrument të posaçëm ligjor, rregulloren e veçantë.

Ky mekanizëm i jep të drejtë autoritetit qendror që, për projekte që vlerësohen me rëndësi kombëtare, të pezullojë përkohësisht rregullat dhe ndalimet e përcaktuara nga vetë bashkia dhe të diktojë kushte të reja zhvillimi të personalizuara për investitorin.

Skenari i zonave të mbrojtura edhe me tokën bujqësore

Gjatë verës së këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në ligjin organik “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”. Ky projektligj, i dekretuar menjëherë nga Presidenti Bajram Begaj në gusht 2026, solli një përmbysje të hirearkisë rregullatore:

Pika më e nxehtë e tij ishte kalimi i kompetencave tek qeveria. Përmes ligjit, kuvendi ia delegoi të drejtën e rregullimit dhe autorizimit të depozitimit të energjisë dhe parqeve fotovoltaike/eolike direkt Këshillit të Ministrave.

Opozita përmes deputetit Oerd Bylykbashi e cilësoi këtë si “çelësin që hap portën për shkatërrimin pa kthim të tokës bujqësore”, sepse qeveria tashmë mund të kapërcejë barrierat parlamentare apo planet vendorë të bashkive për investime private.

Ky ndryshim shkaktoi debate të forta madje edhe brenda vetë mazhorancës socialiste. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, deputeti socialist Damian Gjiknuri shprehu rezerva të forta për dëmtimin e bonitetit dhe strukturave të betonit, gjë që çoi në përplasje me ministrin e atëhershëm Ulsi Manja dhe largimin e Gjiknurit nga mbledhja.

Gjithashtu, deputeti socialist Erion Braçe doli hapur kundër ligjit, duke u rreshtuar në krah të shqetësimeve të fermerëve për humbjen e tokës së punueshme./ kapitali.al

Po ndodh...