Pas 5 vitesh, Berisha përballë një tjetër dere amerikane/ Ambasadori Wendt vjen në Tiranë, a do të jetë kreu i PD në prezantimin e tij?

19 September 2026, 11:15 / POLITIKË ALFA PRESS
Pas 5 vitesh, Berisha përballë një tjetër dere amerikane/

Eric Wendt pritet të mbërrijë në Tiranë në fund të javës së ardhshme, ndërsa më 2 tetor është parashikuar pritja diplomatike për ambasadorin e ri të SHBA. Lista e të ftuarve merr rëndësi edhe për një arsye politike: a do të jetë Sali Berisha mes politikanëve që do të hyjnë në Ambasadën Amerikane pas rikthimit të tij në SHBA?

Ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, pritet të mbërrijë në Tiranë në fund të javës së ardhshme, ndërsa pritja diplomatike për prezantimin e tij është parashikuar më 2 tetor.

Ambasada e SHBA në Tiranë ka nisur shpërndarjen e ftesave për aktivitetin, i cili pritet të jetë edhe kontakti i parë i gjerë publik i Wendt me përfaqësues të politikës, institucioneve, biznesit dhe jetës publike shqiptare.

Por lista e të ftuarve ka edhe një pikëpyetje politike: Sali Berishën.

Nuk ka ende një informacion publik nëse kryetari i Partisë Demokratike është përfshirë në listën e pritjes së 2 tetorit. Çështja merr një peshë tjetër pas udhëtimit që Berisha zhvilloi në Shtetet e Bashkuara në shtator, ku mori pjesë si pjesë e delegacionit të Unionit Demokrat Ndërkombëtar në aktivitetin republikan në Teksas.

Për pesë vite, raporti i Berishës me Uashingtonin u përcaktua nga vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2021 për shpalljen e tij të papërshtatshëm për hyrje në SHBA. Udhëtimi i shtatorit 2026 krijoi një situatë të re faktike. Tani mbetet për t'u parë nëse kjo situatë do të reflektohet edhe në marrëdhënien e tij me Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Sipas informacioneve mbi organizimin e pritjes, në listën e të ftuarve janë përfshirë kryetarë të grupeve parlamentare, drejtues të Kuvendit dhe deputetë që kanë pasur më parë komunikime ose aktivitete me përfaqësinë diplomatike amerikane. Në listën e të ftuarve janë ministra, por edhe  drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, përfshi këtu SPAK, GJKKO, Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Gjithashtu në listën e të ftuarve përfshihen edhe drejtuesit e institucioneve të pavarura kushtetuese. 

Pikërisht për këtë arsye, prania ose mungesa e Berishës më 2 tetor do të jetë një nga elementët politikë që do të tërheqë vëmendjen në pritjen e ambasadorit të ri.

Eric Wendt nuk vjen nga diplomacia klasike amerikane. Presidenti Donald Trump e propozoi më 13 prill 2026 për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të SHBA në Republikën e Shqipërisë.

Wendt, i lindur më 7 tetor 1964 në Berkeley të Kalifornisë, ka një karrierë të gjatë ushtarake. Ai ka shërbyer në Ushtrinë Amerikane që nga viti 1986 dhe më pas në Forcat Speciale, të njohura si Beretat e Gjelbra.

Karriera e tij përfshin misione dhe detyra në Indonezi, Filipine, Irak dhe Afganistan, si dhe poste drejtuese në strukturat e operacioneve speciale amerikane. Ai ka shërbyer gjithashtu si ndihmës kryesor ushtarak i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes.

Pra, Uashingtoni nuk ka zgjedhur për Tiranën një diplomat karriere, por një ish-ushtarak me eksperiencë të gjatë në sigurinë kombëtare dhe operacionet speciale.

Më 2 tetor do të shihet edhe konfigurimi i parë politik rreth ambasadorit të ri.

Dhe një nga detajet konkrete do të jetë lista e politikanëve shqiptarë që Ambasada Amerikane ka zgjedhur të ftojë në pritjen e Eric Wendt. 

Po ndodh...

ide