Hipokrizia e Ramës për të bërtitur: Marre!
Nga Indrit Gjyzeli
Tirana u përfshi në një zemërim, për dënimin e ish drejtuesve të UÇK-së. Politika nxitoi të bënte statuse. Kryeministri shkroi "Marre!". Opozita nxitoi të fajësojë Ramën.
...E vetmja e vërtetë në gjithë këtë zemërim është ajo e qytetarëve, të cilët prisnin kthimin në Prishtinë të ish-krerëve të UÇK-së. Ndërkaq, politika, edhe pas tri ditësh nga vendimi, duket se është në shtratin e hipokrizisë, duke besuar se një deklaratë në Kuvend mjafton.
Tirana zyrtare, jo sot, por që nga viti 1999 nuk ka bërë thuajse asgjë që të ndërtojë në çdo metropol të rëndësishëm botëror Muzeun e Dëshmisë për krimet serbe në Kosovë. Që nga viti 1999 Tirana e Prishtina nuk janë ulur së bashku për një platformë të qartë se si e shkuara të ishte në çdo tavolinë ku do ishin dhe serbët, që asnjë Vuçiç apo Daçiç të kishte kurajën të barazonte agresionin serb me viktimat dhe të dhunuarit e të përdhunuarat në Kosovë.
Për fat të keq, Tirana, si në kohën e Berishës ashtu dhe të Ramës e panë Prishtinën si arenë pushteti për vetveten, duke shpërfillur qartë atë që nisi si fantazi me Raportin e Dick Martit, me qëndrimet e Del Pontes apo me furinë serbe nëpër botë për të bllokuar njohjet për Pavarësinë e Kosovës.
Për fat të keq, kemi patur mosmarrëveshje Berisha-Rugova, përplasje Berisha-Thaçi, kemi pasur dërgim në gjyq të Haradinajt nga Rama, kemi pasur tallje të Ramës me Kurtin, ndërkohë që përqafohej me Vuçiçin.
Shkurt, "Marre!" është për vetë Ramën e Berishën e shumë të tjerë që e panë Kosovën si aneks, e jo si vijimësi e të njëjtit trup, të njëjtit komb. Lufta politike mposhti detyrimin që ka shteti shqiptar për Kosovën dhe, pikërisht këtë betejë për pushtet, e shfrytëzoi qetësisht Vuçiçi, që në një krah përgëzonte Ramën si "lider i madh", e në krahun tjetër zvogëlonte Prishtinën në sytë e botës.
Politika e Tiranës nuk arriti kurrë të bëhej një e të kërkonte mendimin më të mirë të akademikëve, historianëve dhe të gjente studiot më të rëndësishme në botë, për të mbrojtur atë të vërtetë që dimë të gjithë.
Por Tirana vijon ende me egot se kush ka të drejtë në Kuvend. Kosova ende shihet si betejë Rama-Berisha, ndërkohë që nuk ka asnjë përpjekje për një ulje të të gjithë palëve, Prishtinë-Tiranë, që të lexojnë realitetin e ri e të kërkojnë zgjidhje.
Çdo vonesë favorizon Beogradin që po feston këtë vendim me të njëjtën forcë siç nderoi keyekriminelin Mlladiç që shfarosi burrat e djemtë e Srebrenicës.
Mungesa e pendesës së Beogradit për krimet dhe aleancat që kërkojnë serbët për të mbrojtur krimet duhet të na hapë sytë e të kuptojmë sa më parë se e ardhmja e Kosovës është më e rëndësishme se çdo ego politike në Tiranë.
Është koha që diplomacia shqiptare ta kuptojë se betejat nuk bëhen me nipa deputetësh, kushërinj ministrash apo patronazhistë, por me akademikë e profesionistë./Alfapress.al
Po ndodh...
Hipokrizia e Ramës për të bërtitur: Marre!
ide
Tri krizat dhe tri zgjidhjet
Pafajësi për çlirimtarët, që të mos gjykohet historia!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128