24 orët e fundit/ Kush do të jenë 34 ligjvënësit e rinj socialistë? Senatorët 'në ring' për rreth 28 vende!

11 Mars 2025, 19:00 / POLITIKË ALFA PRESS

24 orët e fundit/ Kush do të jenë 34 ligjvënësit e rinj

Edi Rama do ta zyrtarizojë ekipin e tij të 11 majit vetëm pak orë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listës së kandidatëve. Të mërkurën në orën 19:00 kryesocialisti do të mbledhë kryesinë në selinë rozë, për të kaluar në filtrin e fundit  propozimet që iu dorëzuan nga drejtuesit politikë dy ditë më parë në vilën qeveritare 30.

Kornizat për hartimin e listës dhe parimet që tha se nuk do të shkelen i bëri sërish të qarta.

“Në listën e mbyllur një pjesë e madhe do të jenë njerëz që hyjnë për herë të parë në parlament, fresh, pa ngarkesa dhe që vijnë natyrisht nga kontribute të caktuara në shoqëri, në fusha të ndryshme etj, nuk diskutohet”, tha Rama.

Thuajse asnjë deputet që gëzon qoftë edhe një mandat nën logon e PS nuk do të jetë në listën e sigurt, për një vend në parlamenti betejën duhet ta bëjnë në terren. I njëjti parim tha se do të ndiqet edhe për gratë deputete, megjithëse për to mund të ketë edhe ndonjë përjashtim nga rregulli.


“Burrat nuk diskutohet por dhe për gratë dhe vajzat përgjithësisht me ndonjë rast shumë të veçantë do të vlejë ky parim”, u shpreh kryebashkiakët.
Të paprekur la drejtuesit politikë, ekipin bërthamë të socialistëve, të cilët do të jenë në listën e mbyllur duke zënë 12 nga 46 vendet e sigurta. Nga 14 drejtuesit e qarqeve, vetëm 12 prej tyre janë deputetë të sigurt të legjislaturës së ardhshme, pasi për kryebashkiakët e Durrësit dhe Shkodrës, Emirjana Sako dhe Benet Beci, nuk ka asnjë sinjal për përfshirjen në listë, duke vijuar punën si kryetarë bashkie. Ndryshe nga rasti i Ervin Demos, i cili pritet të lërë bashkinë e Beratit e të kandidojë për deputet.

Pezull mbetet vetë pozicioni i kryesocialistit, i cili për herë të parë ngriti pikëpyetje për kandidimin e tij, duke deklaruar se mund të mos jetë në listën e kandidatëve. Mes 34 emrave të figurave të reja që nuk kanë pasur kurrë një mandat deputeti, e që priten në listë të sigurt janë ministra të kabinetit të tij qeveritar, Pirro Vëngu, Adea Pirdeni, Igli Hasani apo Petrit Malaj.

Pjesa tjetër, do të duhet të luftojë në “det të hapur”, e minimalisht nëse socialistët do të ruajnë pozitat e 2021-shit, me 74 mandate, për ta mbeten vetëm 28 vende.

Deputetët të cilëve Rama u ka deleguar një zonë të caktuar elektorale, pritet të jenë në listat e hapura, në rast se nuk do të tërhiqen nga gara siç bëri kolegu i tyre, Petro Koçi, i cili njoftoi publikisht se nuk do të jetë në listat e kandidatëve. Tërheqja e tij, Koçi thotë se nuk është frikë nga gara, por për shkak se nga partia nuk i është ngarkuar një zonë elektorale.

Deputetë si Toni Gogu, Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Arben Pëllumbi apo Xhemal Qefalia që kanë zonat e tyre në qarkun e Tiranës, pritet të jenë në listë të hapur, ashtu si  shumë prej kolegëve të tyre në rrethe. Lista do të zyrtarizohet në mbledhjen e Kryesisë, e do të bëhet me dije nga secili prej drejtuesve të qarqeve përpara dorëzimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të kandidatët nga partitë deri në mesnatë.

 

Po ndodh...