'Ballkani i Hapur' mblidhet në Ohër, REL: Çfarë parashikojnë marrëveshjet e reja që do nënshkruhen

7 Qershor 2022, 10:57 / POLITIKË ALFA PRESS

'Ballkani i Hapur' mblidhet në Ohër, REL: Çfarë

Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Në letrën dërguar Kovaçevskit, Kurti ka ftuar homologun maqedonas që “të punojmë së bashku për të parandaluar Serbinë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”.

Pjesëmarrësve në Ohër, përmes video-lidhjes, do t’u drejtohet edhe komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, si dhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Me këtë hap, Varhelyi dhe Escobar do të dëshmojnë se nisma e “Ballkanit të Hapur” ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës amerikane.

Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Tri vendet anëtare i kanë ftuar vazhdimisht edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës.

Deri më tash, palët kanë nënshkruar disa marrëveshje – për lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, për bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave e të tjera.

Marrëveshja që pritet të nënshkruhet të mërkurën për luftë kundër evazionit fiskal, thekson se tri vendet e kanë parasysh “rëndësinë e shtuar” të bashkëpunimit në këtë fushë, gjegjësisht në shmangien e pagesës së taksave.

Marrëveshja tjetër që pritet të nënshkruhet për njohjen reciproke të diplomave, mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Për të promovuar shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, tri vendet pritet të nënshkruajnë edhe një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim kulturor në Ballkanin Perëndimor.

Në memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit, i cili gjithashtu pritet të nënshkruhet në Ohër, parashihet formimi i një harte turistike, të quajtur “Ballkani i Hapur”. Shtetet nënshkruese janë të detyruara t’i inkurajojnë kontaktet ndërmjet organizatave të tyre turistike dhe punëtorëve, ndërkohë që parashihet krijimi i grupeve të posaçme të punës për këtë fushë.

Njohësi i çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Neziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se nismat që kanë për qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe lehtësime në lëvizjen e qytetarëve dhe të mallrave, janë të mirëseardhura, por, sipas tij, do të ishte mirë që nismat e tilla t’i përfshijnë të gjitha shtetet.

“’Ballkani i Hapur’ ka për qëllim të nxisë komunikimin në të gjitha sferat. Ky komunikim do të prodhojë jo vetëm zhvillim ekonomik, por edhe stabilitet dhe siguri në rajon. Pra, mendoj se Ballkani i hapur duhet të jetë një paradhomë, në atë formë që vendet do të përgatiten për një konkurrencë shumë më të madhe, për një treg shumë të madh, siç është Bashkimi Evropian”, thotë Neziri.

Sipas tij, e meta e kësaj nisme është zanafilla e saj, pasi në fillim, siç thotë ai, ajo nuk ka siguruar gjithëpërfshirjen, por është ndërmarrë nga vetëm tri vende.

Duke komentuar refuzimin e Kosovës që të marrë pjesë në këtë takim dhe në përgjithësi në nismën e “Ballkanit të Hapur”, si dhe thirrjen e Kurtit “për të parandaluar Serbinë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon”, Neziri thotë:

“Një nismë që përbëhet nga shtete që janë anëtare të NATO-s, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, e në të cilën pritet të kyçen edhe shtete të tjera si Mali i Zi, nuk mund të jetë një projekt që do t’i mundësojë Rusisë të shtrijë ndikimin e saj në rajon. Mendoj se janë diskurse të politikave ditore në Kosovë, të cilat nuk besoj se janë të bazuara në fakte”.

Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, ka thënë më herët se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë./ REL

Po ndodh...

ide