Basha i përgjigjet sulmeve të Berishës: Për hallin e tij ka marrë peng PD dhe po minon opozitën duke i shërbyer Ramës

16 Shtator 2024, 14:50 / POLITIKË ALFA PRESS

Basha i përgjigjet sulmeve të Berishës: Për hallin e tij ka

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur sulmeve të Sali Berishës ku shprehet se është trishtim i madh përçartja e tij dhe se para tre vitesh i ka kërkuar të largohet me dinjitet që të mos “vdes” politikisht me turp.

Në postimin e tij në Facebook, Basha thotë se shqetësim nuk është më halli i Berishës, por minimi i opozitës dhe shërbimi ndaj Ramës.

Sipas tij, Berisha e mori partinë për t’u mbrojtur nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe se i ka shitur zgjedhjet Edi Ramës që në këmbim të marrë vulën e PD.

Basha më tej shprehet se Shqipëria meriton më shumë se kooperativa e bashkuar Rama-Berisha, që punojnë vetëm për interesat e tyre, kundër interesave të Shqipërisë.

Reagimi i plotë i Bashës:

Trishtim që pas tre vjetësh mashtrime e dështime të vazhdosh të degjosh përçartjet e Sali Berishës. Ajo që i kam kërkuar tre vite më parë është të largohet me dinjitet dhe të mos “vdesë” politikisht me turp.

Ai qartazi ka zgjedhur këtë të dytën. Por mua nuk më shqetëson më halli personal i Sali Berishës, por fakti se për hallin e tij ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po minon opozitën duke i shërbyer Edi Ramës.

Siç e kam thënë tre vjet më parë, koha është ilaçi më i mirë dhe mbart të vërtetë më të madhe.

Sot nuk ka shqiptar që nuk e di dhe nuk e pa se Sali Berisha e donte PD për ta shndërruar në mburojë të tij përballë drejtësisë, SHBA dhe Britanisë së Madhe. Asnjë pikë dinjiteti nuk i ka mbetur atij që i ka shitur zgjedhjet Edi Ramës në këmbim të vulës, atij që i bashkoi votat me Edi Ramën për të amnistuar të korruptuarit e Edi Ramës ndërkohë që mban në ndjekje penale protestuesit demokratë, atij që i bashkoi votat me Edi Ramën për të mbyllur listat, duke i dhënë më shumë pushtet Edi Ramës.

Shqipëria meriton më shumë se kooperativa e bashkuar Rama-Berisha, që punojnë vetëm për interesat e tyre, kundër interesave të Shqipërisë.