
Basha në Njësinë 10, Tiranë: Taksa e sheshtë 9%, 0 taksa për biznesin e vogël me xhiro deri në 14 mln lekë të reja. Paratë në xhepat e shqiptarëve jo pushtetarëve!

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i shoqëruar nga kandidatet për deputete të Njësisë 10, Neli Demi, Eduard Kelmendi dhe Irsida Shehi, zhvilloi një takim me qytetarë të kësaj zone të Tiranës, ku theksoi se më 11 maj shqiptarët kanë në dorë të vendosin për një Shqipëri më të drejtë, më të ndershme dhe më të jetueshme.
Në bisedë me banorët, Basha u ndal te plagët e thella që ka lënë pas qeverisja 12-vjeçare e bazuar në korrupsion, klientelizëm dhe padrejtësi. Ai tha se Shqipëria është lodhur nga një model pushteti që ka prodhuar vetëm varfëri dhe largim masiv të të rinjve.
“Ky vend nuk meriton korrupsionin më të lartë prej themelimit të shtetit shqiptar. Nuk meriton më një ekonomi që funksionon për një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin, ndërsa familjet e zakonshme përballen çdo ditë me çmime që rriten, paga që nuk mjaftojnë dhe mungesën e mundësive ekonomike” - u shpreh ai.
Në qendër të programit të Koalicionit Euroatlantik është familja shqiptare. Basha theksoi se është koha që paratë e taksave të mos shkojnë më për koncesione dhe korrupsion, por për mirëqenien e familjeve që mbajnë Shqipërinë gjallë. Ai foli për një qasje të re, ku familja të mbështetet që nga lindja e fëmijës e deri te mundësia për të ndërtuar një jetë të sigurt dhe të qëndrueshme në vendin e vet.
“Ne do ta bëjmë të mundur që çdo prind të ketë ndihmën që meriton, çdo çift i ri të ketë mundësinë të blejë një shtëpi me mbështetjen e shtetit, dhe çdo fëmijë të vijë në jetë në një vend që i ofron shpresë, jo vetëm sakrifica” - tha Basha.
Diskutimi me qytetarët u fokusua edhe te çështja e pronës, një plagë e vjetër që, sipas Bashës, nuk është vetëm padrejtësi ndaj mijëra familjeve, por edhe një pengesë e madhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku ende nuk është zgjidhur problemi i pronave.
“Prona është e shenjtë. Ajo nuk është vetëm një pasuri, është një e drejtë që i takon çdo qytetari. Qeveria ka dështuar të japë zgjidhje, dhe më keq akoma, e ka përdorur këtë problem për të ndarë favore dhe për të krijuar kaos. Ne angazhohemi ta zgjidhim këtë një herë e mirë. Brenda dy viteve të para të qeverisjes tonë, do të themelojmë një skemë të re kompensimi me obligacione shtetërore me vlerë të plotë tregu, të tregtueshme, që do t’u japin pronarëve atë që u takon me të drejtë, pa sorollatje, pa mashtrime dhe pa pabarazi” - u shpreh ai.
Në lidhje me zhvillimin ekonomik, Basha tha se nuk mund të ketë ekonomi të fortë pa drejtësi, pa konkurrencë dhe pa mbështetje për shtresën e ë dhe sipërmarrjen. Ai kritikoi ashpër klimën e biznesit, ku sipas tij, mbi 70% e bizneseve raportojnë kërkesë për rryshfet dhe ku çdo iniciativë e ndershme pengohet nga një administratë e korruptuar dhe e kapur politikisht.
“Ne do të ulim barrën fiskale për të gjithë ata që punojnë ndershëm. Taksa e sheshtë 9% do të aplikohet për të ardhurat personale dhe për bizneset, ndërsa biznesi i vogël do të përjashtohet plotësisht nga tatimet deri në një qarkullim prej 14 milionë lekësh të reja. Nuk do të ketë më gjoba selektive dhe kontrolle abuzive, por do të ketë një shtet që ndihmon dhe jo që pengon. Dhe për t’i dhënë fund privilegjeve për klientët e pushtetit, do të eliminojmë përfundimisht të ashtuquajturit ‘investitorë strategjikë’, që kanë përfituar prona dhe para publike pa asnjë meritë, vetëm sepse janë afër qeverisë”, deklaroi ai.
Në fund të takimit, Basha tha se ai dhe ekipi i Koalicionit Euroatlantik do të jenë çdo ditë, në çdo lagje, rrugë dhe rrugicë të Tiranës, për të dëgjuar qytetarët dhe për të ofruar zgjidhje reale.
“Më 11 maj, zgjedhja është e qartë: O Shqipëria që meriton më shumë, o 12 vite korrupsion që e kanë mbajtur peng vendin. Besoni te Shqipëria. Votoni për ndryshimin e vërtetë. Votoni numrin 4 – Koalicionin Euroatlantik,” përfundoi Basha.

Rama-Meta, si aleanca e 1 Prillit zhbëri Shqipërinë
ide



top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128