Bashkimi i tokave dhe sfida e Ramës për të ndryshuar fatin e fshatit shqiptar

26 Prill 2026, 11:42 / POLITIKË ALFA PRESS

Bashkimi i tokave dhe sfida e Ramës për të ndryshuar fatin e

Ideja për bashkimin e tokave bujqësore, e artikuluar nga kryeministri Edi Rama, përbën një hap të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në përpjekjen për të transformuar realitetin e fshatit shqiptar.
Nuk bëhet fjalë vetëm për një masë teknike që synon rritjen e efikasitetit në bujqësi, por për një ndërhyrje që prek vetë themelin e problemit; fragmentimin ekstrem të tokës, i cili prej vitesh e ka mbajtur bujqësinë shqiptare në nivel mbijetese dhe jo zhvillimi, në një vend si Shqipëria ku një pjesë e madhe e fermerëve punojnë sipërfaqe shumë të vogla dhe të shpërndara.

Në vendet e Bashkimit Evropian, kjo çështje është adresuar prej dekadash përmes politikave të mirëstrukturuara, ku bujqësia nuk është lënë e varur vetëm nga forcat e tregut, por është mbështetur fort përmes një sistemi politikash publike të njohura si “Common Agricultural Policy”.
Kjo politikë synon jo vetëm rritjen e prodhimit, por mbi të gjitha qëndrueshmërinë e fermerëve dhe ruajtjen e zonave rurale. Fermeri në vendet e BE mbështetet financiarisht, organizohet në struktura bashkëpunimi dhe mbrohet nga luhatjet brutale të çmimeve.

Kështu në Francë, fermat janë konsoliduar përmes kooperativave të fuqishme, ku fermerët jo vetëm prodhojnë bashkë, por edhe përpunojnë dhe shesin produktin në mënyrë të organizuar. Një fermer francez nuk del i vetëm në treg, ai është pjesë e një zinxhiri që i garanton çmim dhe shpërndarje.
Në Gjermani, shteti ka nxitur bashkimin e tokave përmes lehtësive fiskale dhe programeve të posaçme për trashëgiminë dhe qiradhënien afatgjatë.
Ndërsa në Holandë, një nga ekonomitë më të avancuara bujqësore, suksesi lidhet me kombinimin e fermave të mëdha dhe teknologjisë.

Pra në BE, bashkimi i tokës shoqërohet me politika të forta mbështetëse. Shteti subvencionon fermerët, investon në infrastrukturë rurale dhe mbi të gjitha, krijon kushte që produkti vendas të mos shtypet nga importi.

Në Shqipëri fermeri përballet me një treg të pambrojtur, ku produktet e importit hyjnë pa filtra mbrojtës, duke ulur çmimet dhe duke e bërë të pavlefshëm mundin vendas.

Ndaj ideja për bashkimin e tokave është hapi i parë. Hapi i dytë duhet të jetë i qartë. Shteti të mos konkurrojë fermerin e vet me importin, por ta mbrojë atë, të mos lerë prodhimin të hidhet në rrugë, por të ndërtojë zinxhirë grumbullimi, përpunimi dhe eksporti e mbi të gjitha të subvencionojë për ta bërë bujqësinë konkurruese.
Pa këto elemente, rritet rreziku që tokat të mbeten të pashfrytëzuara, ndërsa fshati të vazhdojë zbrazjen e tij demografike.

Dhe pikërisht për të gjitha këto arsye, ideja e artikuluar nga Edi Rama ka shumë vlerë nëse do të shndërrohet në politikë të plotë zhvillimi dhe do të shënojë një kthesë të vërtetë për fshatin shqiptar.

Modeli evropian nuk është thjesht bashkim tokash. Është bashkim politikash në funksion të fermerit. Dhe pikërisht aty duhet të synojë edhe Shqipëria!

Po ndodh...