Denoncimi nga PD për shitblerje të votës nga kandidati i PS në Korçë/ Policia e nis hetimet!

9 Maj 2025, 17:45 / POLITIKË ALFA PRESS

Denoncimi nga PD për shitblerje të votës nga kandidati i PS

Një 34-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia e Korçës lidhur me publikimin në rrjete sociale të disa videove ku pretendohej se në fshatin Podgorie-Maliq po kryhej krim zgjedhor lidhur me shitblerjen e votave në favor të kandidati për deputet të Partisë Socialiste Arian Jaupllari.

Referuar njoftimit zyrtar të Policisë së Korçës, është proceduar penalisht shtetasi me iniciale A. P. 34 vjeç, i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” me precedent të mëparshëm kriminal dhe i dënuar për vepra penale në fushën prodhimit dhe shitjes së narkotikeve dhe të krimeve kundër personit.

Shtetasi A. P. është personi përgjegjës për videot e filmuara dhe të publikuara në rrjete sociale nga demokrati Edmond Spaho, ndërsa ka refuzuar vënien në dispozicion të audio-regjistrimit për Policinë.

Sakaq përsa i përket personave të shfaqur në video dhe për kandidatin për deputet të Partisë Socialiste, nuk është konstatuar ndonjë veprim që bie në kundërshtim me ligjin që ka të bëjë me shitjblerjen e votave.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë porsa janë njohur me një postim në rrjetet sociale ku në dy video të postuara pretendohej se një kandidat për deputet i subjektit politik Partia Socialiste ka qene duke u ofruar shuma parash ne këmbim të votave banorëve të fshatit Podgorie-Maliq, menjëherë nisën punën për verifikimin e rastit.

Si rezultat i veprimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, proceduan penalisht për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, për shtetasin A. P, 34 vjeç, banues në Podgorie, Maliq, me precedent të mëparshëm kriminal dhe i dënuar për vepra penale në fushën prodhimit dhe shitjes së narkotikeve dhe të krimeve kundër personit.

Nga veprimet hetimore të kryera, kontrollet dhe deklarimet e marra shtetasve të cilët shfaqeshin në këto pamje dhe kandidatit për deputet shtetasit A.J, nuk u konstatua ndonjë veprim i kundraligjshëm që ka të bëjë me shitblerjen e votave.

Gjithashtu, nga analiza e pamjeve filmike dhe nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. P., ka qenë personi i cili ka kryer regjistrimin audio-video të shtetasit që shfaqet në ato pamje.

Shtetasi A. P., ka refuzuar vënien në dispozicion të Policisë me qëllim ekspertimin të pajisjes me të cilën ka kryer ketë regjistrim, duke u bërë shkak për pengimin e hetimeve të mëtejshme nga strukturat ligjzbatuese.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë garanton qytetarët dhe subjektet politike se strukturat e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin, parandaluar dhe goditur paligjshmëritë me qëllim krijimin e një ambienti akoma dhe më të sigurt”, thuhet në njoftim.

 

Po ndodh...