Dosja Meta-Kryemadhi kaloi për gjykim, avokati “shpërthen” jashtë GJKKO-së: Nuk u ngritën në lartësinë e detyrës, për Presidentin fillon gjyqi politik

18 Mars 2026, 11:54 / POLITIKË ALFA PRESS

Dosja Meta-Kryemadhi kaloi për gjykim, avokati “shpërthen”

Gjyqtarja Irena Gjoka ka vendosur kalimin për gjykim në themel të dosjes ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe disa personave të tjerë, mes tyre edhe Fatime Kryemadhi, ish-vjehrra e kreut të Partisë së Lirisë.

Vendimi i hap rrugë vijimit të procesit gjyqësor ndaj Metës, i cili ndodhet në qeli që prej tetorit të vitit 2024, duke e çuar çështjen në fazën e shqyrtimit në themel, ku do të vlerësohen provat dhe pretendimet e palëve.

Paralelisht, gjykata ka rrëzuar kërkesat e të pandehurve për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave, duke mos pranuar argumentet e paraqitura nga mbrojtja në këtë fazë të procesit.

Jashtë ambienteve të GJKKO-së, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, ka shprehur rezerva ndaj vendimit, duke e konsideruar atë të paqartë dhe që hap debat. Sipas tij, gjykata nuk mori në konsideratë kërkesat e mbrojtjes dhe e kaloi çështjen për gjykim, duke ia lënë vlerësimin e tyre fazës së themelit.

Ai ka theksuar se ndonëse janë konstatuar mangësi në prova gjatë hetimit, çështja sërish është kaluar për gjykim, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e trajtimit të procedurës paraprake.

“Gjykata përsëri nuk u ngrit dot në lartësinë që e kërkon detyra, nuk i pranoi kërkesat dhe ia kaloi çështjes për gjykim, duke na thënë që këto çështje mund të zgjidhen në Themel. Gjykata e Themelit duhet të bëjë dhe prokurorin dhe gjyqtarin. Unë nuk e kuptoj këtë vendim, kërkuam që gjykata të ngrihet në lartësi. Sot ka përfunduar çështja ligjore për Metën. Në Themel fillon çështja politike. Gjykata e kalon çështjen për gjykim.

Kur Gjykata e konstaton që provat janë të plota, e kalon për gjykim. Në rastin konkret gjykata e konstatoi që në prova ka mangësi, por e kaloi për gjykim. Gjyqtarët e seancës paraprake janë kot. Kjo është procedurë kot. Ne kemi 7 muaj që po merremi me gjykatën, dhe këta janë tallur me ne. Kam rezervat e mia sa i përket gjykatës. Mangësitë e hetimeve kanë qenë dëshmitë që duhet të merreshin në SHBA, që gjykata i konstatoi, dëshmi që duhet të merreshin në Shqipëri me parlamentarët, që nga Edi Rama dhe deri te ata që e ideuan ligjin për minierat. I konstatoi, por kërkoi që të merren në Themel”, tha Cakrani.

 

Po ndodh...