Kushtetuesja merr vendimin për ish-ministrin Ilir Beqaj, mbetet në burg

28 Janar 2026, 22:39 / POLITIKË ALFA PRESS

Kushtetuesja merr vendimin për ish-ministrin Ilir Beqaj, mbetet në

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili kërkoi shfuqizimin e masës ‘arrest në burg’, ndërsa ndodhet prej më shumë se një viti i izoluar në paraburgimin e Durrësit.

Ish-ministri u arrestua me urdhër të SPAK më 4 korrik 2024 për dosjen e skandalit me fondet e SASPAC, ku akuzohet për abuzim me donacionet e huaja, ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme edhe për dosjen e “Sterilizimit”.

Ilir Beqaj akuzohet se ka kryer vjedhje duke shpërdoruar detyrën publike të titullarit të ministrisë.

Ai ka kërkuar disa herë lirinë në shkallë të ndryshme të gjyqësorit, por është rrëzuar nga togat e zeza. Ish-ministri, i cili ka mohuar akuzat e SPAK, madje dy ditë pas vendosjes në pranga ofroi edhe garanci pasurore prej 50 mijë euro, por propozimi i tij nuk u pranua.

SPAK e akuzon Ilir Beqaj për shpërdorim detyre për lidhur me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, kontrata koncesionare 10-vjeçare afro 100 milionë dollarëshe, e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.

Ish-ministri i Shëndetësisë do të hetohet për “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim” në procedurat e koncesionit nën masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” dhe “ndalim të udhëtimit jashtë”. Ndërsa u vendos në pranga lidhur me abuzimet në SASPAC, gjatë kohës që ai ishte në krye të saj.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme bën me dije se ishministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro. Kështu, sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.

Krahas masës së sigurisë, ndaj ishministrit është caktuar dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Sipas SPAK, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duhet të anulonte kontratën koncesionare të sterilizimit, pasi kompania fituese dha një ofertë më të lartë se sa vlera e përcaktuar nga autoriteti kontraktor.

Ai nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, çka do të ishte më e favorshme ekonomikisht, por kaloi direkt të procedura e dhënies me koncesion të shërbimit për sterilizimin e pajisjeve mjekësore. Nuk parandaloi konfliktin e interesit mes biznesmenit Ilir Rrapaj dhe ish- zv.ministrit Klodian Rjepaj, si dhe kreu veprime që favorizuan kompaninë fituese.

Në dosjen penale ndër të tjera arsyetohet se Ilir Beqaj, ndonëse ishte në dijeni të qendrës moderne të sterilizimit, të ngritur në QSUT, nuk mori asnjë masë për vënien e saj në funksion. Ai nuk bëri asnjë studim paraprak, për të vlerësuar nëse vënia në funksion e qendrës së sterilizimit do të ishte më e favorshme ekonomikisht.

Gjithasut analizohen edhe udhëtimet që Ilir Beqaj ka bërë me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili zotëron 40 për qind të kontratës koncesionare dhe që aktualisht ndodhet në burg për të njëjtën çështje.

Po ndodh...

ide