Marrëveshja për mbrojtjen Shqipëri-Kosovë-Kroaci! Vëngu: Bashkëpunim i natyrshëm mes shteteve sovrane

22 Mars 2025, 10:12 / POLITIKË ALFA PRESS

Marrëveshja për mbrojtjen Shqipëri-Kosovë-Kroaci!

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, komentoi nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtje dhe siguri mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një hap të natyrshëm mes tre shteteve sovrane.

Vëngu theksoi se marrëveshja synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe mbështetje për integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë, duke reaguar ndaj kërcënimeve që mund të pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit.

Ai gjithashtu kritikoi politikën e Serbisë, e cila, sipas tij, ka pezulluar vetë mundësinë për të marrë pjesë në iniciativat rajonale, duke e bërë të kotë çdo narrativë viktimizuese të qeverisë serbe.

Postimi i ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu:

Marrëveshja për mbrojtje dhe siguri mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është një bashkëpunim i natyrshëm mes tre shtetesh sovrane.

Si aleatë kemi një vlerësim të njëmendtë mbi kërcënimet që synojnë të pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit tonë.

Ndaj kemi vendosur të bashkëpunojmë për të rritur kapacitetet tona mbrojtëse dhe për të mbështetur integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë.

Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karrikes boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe. Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe.

Në historinë e saj, Shqipëria nuk ka precedente marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dem të fqinjeve, siç e kanë pasur shtete të tjera.

Për rrjedhojë, krahas kureshtjes së ekspertëve të dramave rajonale dhe atyre që mezi presin të gjejnë një vesh për të dëgjuar rënkime, nuk e kemi aspak problem të publikojmë marrëveshjen tripaleshe.

 

Po ndodh...