Mbledhja e kryesisë/ Dy deputetë të PD dekonspirojnë planin për tu bashkuar me Rithemelimin e Berishës!

2 Qershor 2023, 14:54 / POLITIKË ALFA PRESS

Mbledhja e kryesisë/ Dy deputetë të PD dekonspirojnë planin

Deputetët dhe anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike zyrtare janë duke përgatitur propozimet e tyre për bashkimin e demokratëve, të cilat do t’i paraqesin në mbledhjet e thirrura nga Gazment Bardhi.

Pavarësisht nga ky plan "bashkimi", që kanë dekonspiruar dy deputetët Hoxha dhe Gështenja, asnjëri prej tyre nuk përmend se çfarë do të bëhet me Sali Berishën dhe nongratat e tij nga SHBA dhe Britania e Madhe, për të cilat ndodhi edhe kjo përçarje!

Për A2 CNN, deputeti dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë, Flamur Hoxha, tregon se formula e bashkimit të grupimeve në PD mund të nisë me përcaktimin e një drejtimi kolegjial nga të dyja palët, por ai drejton gishtin edhe nga grupi i “Rithemelimit”, nga të cilët kërkon të ngrenë zërin ndaj përgjegjësit për humbjen e 14 majit.

“Ashtu siç ngritëm ne zërin më 6 mars, ashtu duhet të ngrenë zërin edhe ata të kampit tjetër të lexojnë realitetin, PD-ja s’ka nevojë për kryetar, por mund të jetë një drejtim kolegjial nga të dyja palët që të bashkojë bazën fillimisht, nuk pres të bashkohen të gjithë deputetë, por demokratët po”, u shpreh Hoxha.
Të njëjtin mendim ndan edhe deputeti Lefter Gështenja, i cili kërkon edhe analizë për situatën ku ndodhet PD-ja.
“Të gjithë duhet të punojmë për bashkimin e demokratëve, ajo që kemi më shumë nevojë është një drejtim kolegjial, të bëjmë një analizë, të flasin me njëri-tjetrin”, u shpreh Gështenja.

Të pyetur se si e shohin rikthimin e mundshëm të Lulzim Bashës për të drejtuar sërish PD-në, Hoxha dhe Gështenja vendosin theksin se demokratëve i duhet një lidership i ri.
“PD-ja ka nevojë për drejtues të rinj. Është një vendim i tij, do ta komentoj kur ky njeri të deklarojë zyrtarisht  se do të kandidojë”, tha Hoxha.
“PD-ja ka nevojë për lider të ri, takimet që bën Basha them që duhet të bëjmë dhe ne edhe gjatë këtij viti që pothuajse s’kemi qenë pranë demokratëve. Hapja e partisë është kryefjala që PD-ja të kthehet në forcë fituese”, pohuan për A2 CNN deputetët Hoxha dhe Gështenja.

“Të hapim partinë edhe nëse duhet të mos jem më deputet, s’mund të shikojë interesat tona për 2025 apo më tej, duhen të rinj, partia s’mund të rri peng për tekat e një ish-kryetari dhe të një kryetari apo ai që do të vijë të copëtohet partia për interesat e tyre”, deklaroi Hoxha.

“Duhet të afrojmë intelektualë, ta bëjmë partinë me të madhe se ajo e 2021, të afrojmë ata që bëjnë  opozitë të vërtetë, të bëjmë të rinjtë të votojnë në zgjedhjet ardhshme, ky është çelësi, duhet të krijojë një PD model, një ekip të ri drejtues”, tha Gështenja.
Më 5 qershor do të mblidhet grupi parlamentar demokrat, teksa një ditë më pas do të zhvillohet edhe takimi i kryesisë së PD-së.

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128