“Më 11 maj Koalicioni Euroatlantik synon ndryshim, jo riciklim”, Basha: Raporti i DASH rithekson se korrupsioni është pengesa kryesore për zhvillimin e Shqipërisë

21 Mars 2025, 19:48 / POLITIKË ALFA PRESS

“Më 11 maj Koalicioni Euroatlantik synon ndryshim, jo
Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në Kamëz, Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, theksoi se qëllimi i koalicionit është një ndryshim i vërtetë për Shqipërinë më 11 maj, duke shmangur rotacionin dhe riciklimin politik.

Duke iu referuar raportit të fundit të DASH, Basha tha se edhe administrata e Trump e ritheksoi se korrupsioni është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik dhe reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Ai nënvizoi se Koalicioni Euroatlantik është i angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë të ecë përpara në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Vëllezër dhe motra, drejtues dhe përfaqësues të nderuar të Demokratëve Euroatlantikë, kandidatë për deputetë të Koalicionit Euroatlantikë, themelues, intelektual, profesorë, përfaqësues të pikave më të larta politike, intelektuale dhe njerëzore të tranzicionit shqiptar, largpamës të vendosur dhe sot të bashkuar me njëri-tjetrin dhe me shumicën dërrmuese të qytetarëve, me një qëllim, më 11 maj jo thjesht rotacion, më 11 maj jo riciklim, më 11 maj ndryshim i vërtetë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ne të gjithë e dimë se çfarë interesash të mëdha janë luajtur dhe luhen. Ne të gjithë e dimë dhe sot Departamenti Amerikan i Shtetit, i administratës së presidentit Trump, pati rastin të na e rikujtojë zyrtarisht se korrupsioni është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe për reputacionin tonë ndërkombëtar. Nuk ka nevojë të na e kujtojë, ne e dimë fare mirë, nuk ka penges më të madhe për zhvillimin tonë se korrupsioni. Nuk ka njollë më të madhe në reputacionin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë se korrupsioni. Por po kështu, e treta dhe më e rëndësishmja që na ka mbledhur në këtë sallë, është një bindje të cilën e kemi ndarë prej ditës së parë, jo ditën e fundit. Dhe që e mbajmë fuqimisht në zemrat tona si të djathtë të vërtetë, si të djathtë me bindje dhe me thelb, jo thjesht në sipërfaqe, se demokratët shqiptarë, e djathta shqiptare, Koalicioni Euroatlantik, Shqipëria nuk ka mik më të mirë se SHBA-të dhe se rrugëtimi ynë përpara mund dhe do të bëhet vetëm krah aleatëve tanë strategjik.