Përplasje në PS/ Ceno Klosi në listën e Fierit, Koçi: Kush është nën hetim, nuk duhet të kandidojë

11 Mars 2025, 16:01 / POLITIKË ALFA PRESS

Përplasje në PS/ Ceno Klosi në listën e Fierit, Koçi:

Deputeti i PS-së, Petro Koçi, ka komentuar publikisht kandidimin e ish-drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi në listën e Fierit për zgjedhjet e 11 majit. Koçi ka deklaruar se nuk është e përshtatshme që personat nën hetim nga SPAK të kandidojnë.

Më tej ligjvënësi socialist ka theksuar se një individ që ka një hetim serioz nga SPAK, që mund ta çojë në statusin e të pandehurit, duhet të shmangë kandidaturën për t’i hapur rrugë fushatës më të pastër dhe për të mos i dhënë mundësi opozitës për ta sulmuar.

Ai ka bërë thirrje që këta individë të mos paraqiten si kandidatë në zgjedhje, pasi një gjë e tillë mund të dëmtojë fushatën dhe imazhin e Partisë Socialiste.

“Do ishte në nderin e çdo kandidati, që nëse ka hetim serioz nga SPAK (kur është proces që mund të të çojë në statusin e të pandehurit), duhet që vetë personi të mos kandidojë. Nuk është e mirë për fushatën. Kjo, sepse i jep mundësi Koalicionit të Shëmtisë Madhështore që të thotë që ky individ kështu e ashtu. Megjithëse aty ka njerëz që kanë probleme me drejtësinë. Nuk i duhet dhënë mundësi këtij grupimi që të na sulmojë qoftë dhe me kandidatë aty-këtu. Unë iu bëj thirrje personave të tillë mos të kandidojnë”, tha deputeti Petro Koçi.

Kujtojmë që Ceno Klosi është nën hetim nga SPAK për 4 vepra të rënda penale, ndërkohë që ai po tentohet të katapultohet në listën e socialistëve të Fierit.

 

Po ndodh...