PLOT 366 FAQE/ Alfapress.al publikon dosjen e plotë të Erion Veliajt me të cilën GJKKO firmosi arrestimin e tij dhe masat për bashkëshorten dhe 5 biznesmenë

11 Shkurt 2025, 14:16 / POLITIKË NGA ALFAPRESS.AL

PLOT 366 FAQE/ Alfapress.al publikon dosjen e plotë të Erion Veliajt

Pas më shumë se 8 muaj hetime intensive, (Të cilat vazhdojnë), në datën 9 Shkurt 2025 më në fund SPAK me firmën e drejtuesit të tij Altin Dumani dhe prokurorit Olsi Dado, nëpërmjet një dosje paraprake prej plot 366 faqesh, bindi Gjykatën e Posaçme, (GJKKO), të firmos arrestin me burg për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, arrest në kushtet e shtëpisë për bashkëshorten e tij, Ariola Xoxa, si dhe të japë masa të tjera për 5 biznesmenë të njohur. Masat janë  firmosur nga gjyqtari Erion Bano.

Gjithashtu SPAK vijon hetimet për deputeten e PS dhe Kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka,  për veprë penale "veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës".

Dosja e dorëzuar në GJKKO, e cila përbën vetëm majën e ajsbergut për hetimet ndaj Veliajt, të cilat kanë filluar me hetim pasuror dhe po vijojnë për një skemë gjigante përfitimesh nëpërmjet fuqisë së tij për të dhënë leje ndërtimi, tendera dhe punë publike, disponohet, edhe nga vetë kryebashkiaku dhe mbrojtësit e tij ligjorë.

Alfapress.al e ka siguruar këtë arsyetim të SPAK për të bindur gjykatën për masat dhe ka vendosur ta publikojë të plotë pasi politikanë, medie dhe gazetarë të shumtë po përpiqen që të relativizojnë gjithë këtë ndërmarrje korruptive, siç bënë edhe me dosjet e Sali Berishës, Arben Ahmetajt dhe Ilir Metës. Veliaj e ka kompletuar frontin Anti-SPAK, edhe me ata të cilët deri dje bënin sikur e përkrahnin.

Vetë kryeministri Edi Rama pasi heshti ditën e arrestimit të Veliajt, mëngjesin e kësaj të marte, jo vetëm që e mori në mbrojtje dhe refuzon që ta shkarkojë, por edhe premtoi që tani e tutje “luftë” me SPAK dhe GJKKO, por edhe e sfumoi skemën kriminale korruptive në bashkinë e Tiranës me “shef” organizate Erion Veliajn të zbuluar nga SPAK dhe certifikuar paraprakisht nga GJKKO. E quajti një hetim që paska gjetur vetëm “sendet e fëmijës së Veliajt në një vilë në Qerret” dhe hoqi maskën duke deklaruar se "SPAK ka dalë nga shinat". Gjithashtu edhe opozita e Berishës, jo vetëm që nuk e ka përshëndetur këtë arrestim të bujshëm për të cilin ka bërë dhjetra “protesta” duke i bërë presion SPAK, por sërish ka vazhduar avazin se “Rama urdhëroi Dunamin të kryente arrestimin”, se “arrestimi u krye për të sfumuar daljen e amerikanit të fushatës së Trump në krah të Berishës”, e broçkulla të tjera, duke shmangur thelbin dhe rëndësinë historike të këtij arrestimi për drejtësinë, shqiptarët dhe zbërthimin e korrupsionit të lartë në lidhje me biznesmenë dhe politikanë pa dallim ngjyrash, rozë apo blu.

Gjatë 3 mandatave të Veliajt, Tirana u kthye në në lavatriçen e pastrimit të miliarda eurove nëpërmjet betonizimit të saj dhe jo vetëm. Nuk janë pastruar vetëm paratë e korrupsionit 34 vjeçarë në Shqipëri, por edhe ato të krimit të organizuar. Alfapress,al është në dijeni të presionit që ka ardhur ndaj institucioneve të drejtësisë shqiptare nga shumë vende të BE dhe nga SHBA, për dhënien fund të kësaj lavatriçeje gjigante financiare, pasi në Shqipëri dhe kryesisht në Tiranë, po pastron para edhe krimi dhe korrupsioni ndërkombëtarë.

Zhvillimi historik i këtij hetimi nuk janë përfitimet e thjeshta dhe ryshfetet e një kryebashkiaku, por një skemë e madhe, (Në përmasa më të vogla e shtrirë në gjithë bashkitë e vendit), ku ndërthuren biznesmenë të mëdhenj, organizatat kriminale vendase, forca politike, politikanë, deputetë, medie e gazetarë, organizata ndërkombëtare që pastrojnë milionat e trafikut ndërkombëtarë të kokainës dhe jo vetëm.

Ndaj pjesë e dosjes së Erion Veliaj janë fillimisht edhe 5 biznesmenë, të cilët njihen si përfitues të tenderave dhe të lejeve të ndërtimit, të cilët janë edhe të Ramës, edhe të Berishës, edhe të Metës. Pra ashtu siç po përpiqet të vërtetojë SPAK, korrupsioni nuk ka parti dhe as ngjyrë politike të preferuar.

Kjo dosje, ky hetim i cili është ende në fazat e para do zbulojë, se kur vjen puna te “ekonomia”, biznesi, lejet e ndërtimit, pastrimi i parave që i kanë grabitur këtij populli për 34 vite, jo vetëm që janë bashkë, por madje janë edhe ortakë. Dhe ky është vetëm fillimi. Ashtu siç thotë edhe Edi Rama i cili është destabilizuar pas këtij hetimi pasi e di që Erion Veliaj zotëron “Kutinë e Pandorës”, jo vetëm të Rilindjes por edhe të një pjese të mirë të “opozitës”, NUK KENI PARË GJË AKOMA!

Lexoni më poshtë dosjen “Veliaj” me të cilën u bind GJKKO për arrestimin e tij dhe masat e tjera:

Akt akuzën e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.

Po ndodh...