“Rama shkëlqen në propagandë”/ Gazetari: Nëse nuk do kishte prova, kryeministri s’do e shkarkonte Ballukun

14 Mars 2026, 17:32 / POLITIKË ALFA PRESS

“Rama shkëlqen në propagandë”/ Gazetari: Nëse

Gazetari Artan Hoxha tha se kryeministri Edi Rama është mjeshtër i propagandës dhe nuk do e kishte shkarkuar zv/kryeministren Belinda Balluku nëse nuk do të kishte prova.

Ai nënvizoi se jo vetëm që kreu i mazhorancës fitoi të paktën 5 muaj kohë, por e dogji me etapa lëkurën e zv/kryeministres së shkarkuar, pezulluar dhe të pandehur nga SPAK dhe GJKKO.

Sipas tij, Prokuroria e Posaçme gaboi, duke i dhënë një argument kryeministrit që ta përdorë publikisht, duke marrë nën akuzë personin dhe duke mos hetuar veprën penale. Në fillim SPAK duhet të siguronte provat dhe më pas ta vinte ministren përballë tyre, duke kërkuar masën më të fortë shtrënguese.

“Rama nuk tërhiqet kollaj, ai është mjeshtër, ai shkëlqen te propaganda. Sot thotë është e bardhë, nesër e zezë dhe nuk e pranon. Le të qëndrojmë te mënyra si operoi SPAK, akuza që ngriti SPAK, unë nuk jam me parimin që njerëzit të arrestohen pa akuzë dhe prova. Çfarë fitojmë që i çojmë në burg njerëzit?  Vetëm 1 milionë euro janë sekuestruar zyrtarëve të lartë për korrupsion, përballë shifrave të mëdha të arrestimeve dhe të hetuarve për korrupsion. Vijmë tek Balluku, SPAK duhet të mblidhte një herë provat dhe pastaj të shkonte të akuza që kur të shkonte te Balluku të ishte i qartë për akuzën e ngritur. SPAK ngre volum çështjesh e dosjesh, por nuk është i kristalizuar dhe i qartë”, tha gazetari për emisionin “Kjo Javë” në “News 24”.

Hoxha më tej sqaroi se hetimet bëheshin për ngjarje të ndodhura 6 vite më parë, pra duhet të ishin kristalizuar provat dhe të mos përdorej politikisht.

“Duhet ta kishte bërë më parë, Ballukun e heton për një gjë që ka ndodhur para 6 vitesh, tani duhet të ishte i kristalizuar me akuza, me dosjen e plotë, kush e pengoi? Nuk hetohet personi në të gjithë botën, por vepra penale, kurse në Shqipëri ndodh e kundërta. Ata i dhanë argument Ramës dhe ai po e përdor, SPAK bëri një gabim dhe Rama po e shfrytëzon. Kur SPAK t’i komunikonte akuzën Ballukut, t’i  kishte gati provat për Llogaranë, Tigrat, rrugët që janë ndërtuar apo që s’kanë përfunduar. Por kur shtrëngon akuzën si kundërveprim atëherë këtë e përdor Rama, sepse ai e ka të qartë se për çfarë e do Ballukun”, vijoi ai.

Për gazetarin Hoxha, hetimi nuk po pengohet, ndërkohë që Gjykata i mban ende masën e pezullimit Ballukut, kur ajo tashmë është e shkarkuar nga detyra.

Dhe po të mos kishte prova dosja, Rama nuk do e shkarkonte vartësen e tij.

“A e pengon Rama hetimin? Jo, sepse hetimi vazhdon, Balluku është me masë dhe e pezulluar, Gjykata edhe dje mori masë të njëjtë për pezullim, në fuqi mban ende masën e pezullimit që ka rënë. Ajo ka ikur nga detyra, nuk ka më funksion, i ka rënë detyra, por qëndroj e pezulluar me masë, a nuk e shikojnë këta gjyqtarë dhe prokurorë. Politikisht Rama e ka djegur Ballukun, po ia shet lëkurën me etapa. Ai tha s’do e shkarkoj, pastaj e shkarkoi. Po të mos kishte prova, Rama nuk do e shkarkonte Ballukun. Ai e çoi drejtuese qarku përsëri në Fier. Ai duke mbrojtur Ballukun, po inkurajon administratën”, u shpreh ai.

Po ndodh...