Reuters: Akuzat për korrupsion ndaj Belinda Ballukut tronditin qeverinë Rama! Vihet në pikëpyetje rruga drejt BE-së

Agjencia prestigjioze ndërkombëtare Reuters i ka kushtuar një analizë të gjerë situatës politike në Shqipëri, duke u fokusuar te akuzat për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ndikimi që kjo çështje mund të ketë në ambicien e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Ndërsa protestuesit hidhnin bomba molotov drejt godinës së qeverisë së Shqipërisë në qendër të Tiranës javën e kaluar, dhe policia iu përgjigjej me gaz lotsjellës dhe ujë, një brohoritje dëgjohej: "Rama ik! Kjo qeveri e korruptuar duhet të japë dorëheqjen!"
Tensionet janë rritur që kur Prokuroria e Posaçme, e njohur si SPAK, ngriti në muajin dhjetor një akuzë ndaj zëvendëseskryeministres, Belinda Balluku, me dyshimin për ndërhyrje në dhënien e dy tenderave në vitin 2021 me vlerë më shumë se 200 milionë euro.
Balluku, një figurë në ngritje, të cilën Rama duket se e sheh si pasardhëse të mundshme, mohon shkeljet, teksa ka marrë mbështetjen publike të Kryeministrit.
Akuzat për korrupsion kërcënojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së
Protestat e vazhdueshme dhe fakti që kriza përfshin një nga aleatët e tij më të ngushtë paraqesin një sfidë të konsiderueshme për Ramën, i cili ka qeverisur vendin ballkanik që nga viti 2013, fitoi lehtësisht zgjedhjet vitin e kaluar për herë të katërt dhe ka një marrëdhënie të mirë me liderët nga Brukseli në Uashington.
Kjo gjithashtu mund ta ndërlikojë planin e tij për t'u bashkuar me BE-në deri në vitin 2030.
"Shqipëria duhet të kuptojë se për t'u bërë anëtare e BE-së, respektimi i sundimit të ligjit është një parakusht", tha Andi Hoxhaj, ekspert i Ballkanit në King's College London.
Teksa u pyet nga Reuters, zëdhënësja e Ramës tha: "Shqipëria meriton të bashkohet (me BE-në) për shumë arsye dhe luftimi i korrupsionit pa dyshim është një prej tyre", tha Manjola Hasa.
Shqipëria ka qenë e izoluar nga bota për gati 50 vjet nën një regjim komunist që ra në fillim të viteve 1990. Ashtu si në shumë pjesë të Evropës Lindore, fundi i komunizmit shkaktoi një periudhë të gjatë korrupsioni.
Megjithatë, reformat gjyqësore në vitin 2016, formimi i SPAK në vitin 2019 dhe rritja e fortë ekonomike e përforcuan argumentin e saj për anëtarësim në BE.
Bisedimet me BE-në filluan në vitin 2022 dhe më 17 nëntor të vitit të kaluar, Shqipëria hapi raundin e fundit të kapitujve si një nga vendet kryesore ballkanik në projektin e BE-së për zgjerim.
Tre ditë më vonë, një njoftim për shtyp i SPAK njoftoi padinë ndaj Ballukut.
Akuzat përqendrohen në dy tendera të vitit 2021, një për ndërtimin e një tuneli dhe një tjetër për një segment të unazës së Tiranës. Balluku, si ministre e infrastrukturës, akuzohet se ka drejtuar tenderët për të favorizuar kompani specifike.
Akuza, e parë nga Reuters, përmban edhe disa mesazhe midis Ballukut dhe kolegëve, përfshirë drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili gjithashtu është nën akuzë.
Në një mesazh më 10 shtator 2021, ajo duket se i kërkon drejtoreshës së saj të takohet me një zyrtar në NOVA Construction 2012.
Katër ditë pas takimit, NOVA me dy kompani të tjera formuan një konsorcium, i cili më pas fitoi kontratën e unazës.
SPAK tha se Balluku kishte "paracaktuar fituesin" dhe "krijoi avantazhe dhe privilegje të padrejta".
Reuters nuk ka arritur të përcaktojë nëse drejtoresha u takua me NOVA-n. Kompania nuk iu përgjigj kërkesës për koment, dhe as avokati i Ballukut.
Balluku, e cila u pezullua nga Gjykata antikorrupsion në nëntor, tha atëherë se nuk do të komentonte çështjen, apo mbi ato që i cilësoi si “gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”
Rama akuza ndaj prokurorëve
Ndërkohë, marrëdhëniet e SPAK me Ramën nuk kanë qenë ndonjëherë kaq të tendosura.
SPAK ka kërkuar që imuniteti i Ballukut të hiqet, por Rama e kundërshton këtë dhe akuzon SPAK-un për tejkalim të kompetencave. Të hënën ai u tha ligjvënësve se kishte refuzuar tre herë kërkesën e Ballukut për të dhënë dorëheqjen.
"Nuk mund të ndodh dorëheqja nën presionin e një pushteti që ka dalë jashtë territorit të tij", tha ai.
Po atë ditë, Rama njoftoi se planifikonte të ndryshonte ligjin për të mbrojtur ministrat nga pezullimi ndërsa janë nën hetim penal, një veprim që opozita tha se kishte për qëllim të mbronte atë dhe aleatët e tij.
"Retorika që mbjell mosbesim publik në gjyqësor dhe në pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin e sistemeve gjyqësore dhe prokurorive është kundërproduktive", tha zyra e BE-së në Tiranë në një deklaratë për Reuters.
"Lufta efektive ndaj korrupsionit është me rëndësi të madhe për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE."/ Reuters
Po ndodh...
ide
Pse eurodeputetët duhet të takojnë Berishën?
Kapja e shtetit edhe elitat shpirtshitura!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128