Rudina Hajdari kundër Berishës: Koha të largohet, të hapet PD dhe të zhvillohet garë reale për lidershipin e ri

12 Qershor 2024, 21:42 / POLITIKË ALFA PRESS

Rudina Hajdari kundër Berishës: Koha të largohet, të hapet

Pas marrjes së vulës, Partia Demokratike ka një tjetër betejë më të madhe atë të hapjes së garës së ndershme në parti dhe rikthimin e figurave dhe një lidership të ri. Kështu u shpreh Rudina Hajdari në studion e Ditarit me Bruna Çfligun në A2 CNN, një ditë pasi gjykata e Apelit vendosi t’ia kalojë vulën e PD-së Sali Berishës. Duke i njohur meritat liderit historik të PD-së për fitoren e kësaj beteje, Hajdari thotë se është koha që ai të largohet dhe kjo parti të reformohet për të synuar zgjedhjet e ardhshme.

“Me fitimin e kësaj beteje PD ka një betejë tjetër, që është një lidership të ri të PD. një hapje të re të vërtetë të PD rikthim të shumë njerëzve dhe rikthim të figurave të reja. Unë mendoj që zoti Berisha fitoi një betejë shumë të madhe me rikthimin e vulës së PD, ishte dhe beteja e tij dhe shumë demokratëve të tjerë që treguan përkrahje për Rithemelimin, por ajo që pengon zoti Berisha janë dy gjëra; e para që ka kryer ciklin e tij.

Ai do të jetë gjithmonë udhëheqësi shpirtëror i PD, por PD siç ka një të shkuar ka dhe një të ardhme dhe duke qenë se e ardhmja e PD duhet të jetë moderne dhe me figura të reja gjatë kësaj kohe të reformimit të PD. Duhet të bëjmë çka është mundur që të ringrejmë atë PD që të thithë atë elektoratin gri. Synimi duhet të jetë të fitojmë zgjedhjet e ardhshme”.

Për momentin ajo thotë se nuk e shikon këtë frymë në PD, por apelon që kjo forcë politike të shohë drejt 30 viteve të ardhshme.

Ajo i bën thirrje Berishës që të hapë garën reale në PD për lidershipin e ri, pa njerëz të deleguar prej tij, pasi kjo, thekson Hajdari, do të ishte vdekje përfundimtare për PD-në.