Sali Berisha, vula e kryetarit dhe firoja e madhe e 23 majit

26 Maj 2026, 19:56 / POLITIKË ALFA PRESS

Sali Berisha, vula e kryetarit dhe firoja e madhe e 23 majit

Nga Rigels Seliman

Referendumi i 23 majit 2026 brenda Partisë Demokratike ka prodhuar saktësisht skenarin e paracaktuar: Sali Berisha ka blinduar zyrtarisht pushtetin e tij duke mbajtur vulën, zyrën dhe karrigen e kryetarit të PD deri në vitin 2030, bazuar në statutin që i garanton një mandat 4-vjeçar. Procesi i thirrur për konfirmimin e tij në krye të forcës më të madhe opozitare nisi si një garë, por u mbyll me vetëm një emër në fletën e votimit. Pa asnjë surprizë reale, makineria partiake shpalli rikonfirmimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demorkatike me një shifër bombastike prej 95% të votave, një rezultat që në fakt fsheh dështimin e pluralizmit të brendshëm dhe ekzekutimin e parimeve të garës së lirë.

Prapaskenat e këtij procesi dëshmojnë për një spastrim të egër të çdo zëri kritik apo kandidature alternative që mund të kërkonte transparencë dhe të rrezikonte monopolin e kryetarit aktual. Burokracia partiake skualifikoi pa asnjë droje emra të njohur si Ervin Salianji, Alesia Balliu e Evi Kokalari, duke mos lejuar të garonte as mjeken militante Mereme Sala, e cila u penalizua me argumentin zyrtar se nuk kishte mbajtur funksione drejtuese më parë. Në kushtet kur nuk kishte asnjë rival përballë dhe i gjithë procesi u administrua dhe u numërua ekskluzivisht nga "besnikët" e tij, analiza e vetme reale mbetet krahasimi i Sali Berishës me rezultatet e vetvetes në të shkuarën.

Arti i ftohtë i numrave zbulon se Sali Berisha i vitit 2026 ka pësuar një humbje të thellë politike përballë Sali Berishës së vitit 2021. Sipas të dhënave zyrtare, në referendumin e 23 majit 2026 votuan 38,902 anëtarë nga një anëtarësi e deklaruar prej 50 mijë personash, që do të thotë se strukturave të PD-së u kanë firuar rreth 5 mijë votues në krahasim me 18 dhjetorin e vitit 2021, ku votuan 43,680 anëtarë. Rënia është po aq dramatike edhe në votën preferenciale: në vitin 2026 Berisha mori mbështetjen e 37,341 anëtarëve, duke pësuar një firo prej rreth 3,500 votash pro krahasuar me pesë vite më parë, kur mbështetej nga 40,820 demokratikë.

Ky dështim elektoral brenda llojit vjen në një moment paradoksal, kur lidershipi deklaron se PD ndodhet në "kilometrin e fundit" për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës. Logjika politike diktonte që Berisha i vitit 2026 duhej të ngjallte shumë më tepër besim dhe mobilizim te anëtarësia sesa ai i vitit 2021, kohë kur u rikthye në mes të një “lufte të egër civile mes demokratëve” për të rimarrë zyrën e Lulzim Bashës. Ky referendum provoi se vula e mbajtur me thonj dhe spastrimi i rivalëve mund të garantojnë mandatin formal deri në vitin 2030, por po tkurr dita-ditës legjitimitetin dhe numrat e një lideri që po zbraz partinë nga brenda.

Shënim: Shifrat zyrtare dëshmojnë se pavarësisht përqindjes bombastike prej 95%, kështjella e Berishës nuk po mbrohet më nga besimi, por po zbrazet nga brenda prej vetë demokratëve.

Po ndodh...

ide