Shtyhen hetimet ndaj Arben Ahmetaj, SPAK kërkon sërish kohë për të "kopsitur" dosjen e ish-zv.kryeministrit

25 Qershor 2025, 12:38 / POLITIKË ALFA PRESS
Shtyhen hetimet ndaj Arben Ahmetaj, SPAK kërkon sërish kohë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë sërish me 3 muaj hetimet për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, ku më pas organi i akuzës pritet të zbresë hetimet në Gjykatën e Posaçme për kalim ose jo të dosjes për gjykim.

SPAK ka kërkuar sërish kohë deri në shtator për të hetuar për dosjen e Ahmetaj, pas shtyrjes së hetimeve 3 muaj më parë. Kujtojmë se kjo është hera e katërt që SPAK shtyn hetimet ndaj Ahmetajt, ndërsa data përfundimtare është ajo e 23 shtatorit. 

Burime për mediat bëjnë me dije se shkak i shtyrjes së hetimeve, është mosmbërritja e të gjitha përgjigjeve të letërporosive që ka dërguar organi hetues drejt Zvicrës. 

Ish-zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, prej korrikut të vitit të kaluar ndodhet në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dy procedimeve të mëparshme të bashkuar në një të vetëm, për “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”.

Atij i janë sekuestruar disa pasuri dhe prona dhe një pjesë e tyre dyshohet të jenë vënë falë marrëdhënies me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri që ndodhen po ashtu në kërkim. Ai dyshohet se ka ndërmarrë një mori aktesh, në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare.

Teksa SPAK e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ahemetaj ka aplikuar për azil në Zvicër, bashkë me partneren Erjola Hoxhën dhe vajzën e mitur.

Po ndodh...