Vëzhgim/ Si ta lexojmë vendimin e Kushtetueses për Erion Veliajn
Në leximin real juridik të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, del qartë një kontradiktë e fortë mes asaj që gjykata pretendon të mbrojë dhe pasojave që do të sillte praktikisht arsyetimi i saj.
Së pari, duhet theksuar elementi më i rëndësishëm që me siguri do anashkalohet në debatin publik në lidhje me këtë vendim. Gjykata Kushtetuese ka pranuar ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm për veprat penale për të cilat po hetohet Erion Veliaj. Pra, Kushtetuesja nuk ka rrëzuar bazën juridike të masës së sigurimit dhe as nuk ka thënë se arresti është ngritur mbi pretendime arbitrare apo pa prova.
Përkundrazi, ajo rrëzoi si të pabazuar pretendimin për mungesën e dyshimit të arsyeshëm dhe pretendimin për cenimin e prezumimit të pafajësisë nga gjuha e përdorur në vendimet e gjykatave. Kjo do të thotë se Gjykata Kushtetuese ka legjitimuar ekzistencën e një baze serioze hetimore ndaj Veliajt.
Dhe pikërisht këtu lind kontradikta kryesore e vendimit. Nga njëra anë, gjykata pranon se ekziston dyshim i arsyeshëm për vepra penale të rënda. Nga ana tjetër, i kërkon Gjykatës së Lartë të arsyetojë proporcionalitetin e masës së sigurimit në raport me faktin që Veliaj është kryetar bashkie i zgjedhur.
Por çfarë arsyetimi tjetër mund të jepte Gjykata e Lartë pa krijuar de facto një imunitet për zyrtarët e zgjedhur?
Nëse ndiqet logjika e nënkuptuar e vendimit të Kushtetueses, atëherë Gjykata e Lartë duhet të arrinte në përfundimin se:
“për shkak se është i zgjedhur nga populli, arresti në burg duhet shmangur ose trajtuar ndryshe”.
Por Kushtetuta shqiptare nuk njeh një privilegj të tillë për kryetarët e bashkive. Përkundrazi, reforma në drejtësi dhe vetë filozofia e SPAK-ut u ndërtuan pikërisht mbi idenë se funksioni politik apo vota popullore nuk mund të krijojnë mburojë penale.
Nëse fakti i të qenit kryetar bashkie do të konsiderohej element përcaktues për të shmangur arrestin në burg, atëherë i njëjti standard do të duhej të vlente për deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive dhe çdo funksionar tjetër të zgjedhur.
Kjo do të krijonte një standard paralel.
Qytetari i zakonshëm mund të arrestohet, ndërsa politikani i zgjedhur gëzon një status të privilegjuar që ligji nuk e parashikon.
Kjo është arsyeja pse pozicioni i Gjykatës së Lartë në thelb është juridikisht më koherent. Ajo nuk mund të ndërtonte një arsyetim që ta kthente mandatin politik në pengesë për masën e sigurimit, sepse kjo do të binte ndesh me parimin e barazisë para ligjit.
Në fund, vendimi i Kushtetueses duket më shumë si një ushtrim formal mbi “mungesën e arsyetimit”, sesa një ndërhyrje reale mbi ligjshmërinë e masës. Kjo gjykatë nuk guxon të thotë se arresti është antikushtetues, sepse një përfundim i tillë do të krijonte precedent tepër të rrezikshëm politik e juridik. Por nga ana tjetër, lë të kuptohet se statusi i të zgjedhurit duhet të prodhojë një analizë të veçantë, ç'ka afron pikërisht idenë e privilegjit që reforma në drejtësi pretendoi të shembte.
Këtu qëndron edhe dobësia kryesore e këtij vendimi. Ai kërkon një arsyetim që, po të çohej deri në fund logjikisht, do të përfundonte në një trajtim preferencial për pushtetarët e zgjedhur; një standard ky që as Kushtetuta dhe as ligji shqiptar nuk e njohin./CNA
Po ndodh...
Si i "mashtroi" Lulzim Basha demokratët për Sali Berishën!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128