BIRN: Zgjedhja pa garë e Berishës në PD ngre shqetësime për të ardhmen e opozitës

Sali Berisha, 81 vjeç, një emër që ka dominuar politikën shqiptare post-komuniste prej më shumë se tri dekadash, pritet të rizgjidhet kryetar i Partisë Demokratike më 23 maj pa asnjë rival në garë.
Edhe pse partia më e madhe në opozitë hapi një proces formal për regjistrimin e kandidaturave për kryetar, strukturat drejtuese të kontrolluara nga Berisha nuk i hapën udhën rivalëve të mundshëm ndaj tij.
Ervin Salianji, ish- deputet dhe iniciator i një lëvizjeje të brendshme kritike ndaj Berishës, iu refuzua kandidatura për ‘mosplotësim kriteresh’ dhe u akuzua nga drejtues forumesh dhe nga vetë Berisha si një vegël e kundërshtarit politik.
Të njëjtin fat pati dhe ambicja e Mereme Selës, një anëtare e kësaj partie pa profil publik, e cila u skualifikua nga gara për ‘mungesë kontributi të njohur në parti’.
Salianji akuzoi Berishën se me refuzimin e garës po e trajtonte partinë si “pronë personale” dhe jo si një aset publik të ndërtuar me sakrificë nga mijëra demokratë.
“Kur ndalohet gara, nuk mbrohet partia, por mbrohen interesat e ngushta të një grupi që vetëm ka frikë: ka frikë nga vota, ka frikë nga drejtësia, ka frikë nga e kaluara,” tha ai në një reagim publik.
Në kundërpërgjigje, Berisha i cilësoi zgjedhjet e pritshme të 23 majit si “…garën më të ndershme dhe formën më demokratike të garës që mund të ekzistojë”, duke iu referuar faktin që kryetari do të votohej direkt nga anëtarët e partisë.
Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Alfred Lela përforcoi këtë qëndrim, ndërkohë që i tha BIRN se procesi i kandidimit kishte qenë i hapur dhe i rregullt bazuar mbi kritere, të cilat sipas tij nuk janë plotësuar nga ata që kërkuan të regjistroheshin në garë.
“Ata që ishin anëtarë të partisë nuk plotësonin kriteret, të tjerët kanë punuar hapur dhe kanë kandiduar për parti të tjera, ose ishin faktuar për lidhje të qarta me krimin, çka i bën të padenjë për kandidim,” tha Lela.
“Sidoqoftë, PD ka një Gjykatë e cila me statut është e detyruar të shqyrtojë çdo ankesë që i vjen në lidhje me procesin dhe pretendimet. Deri tani nuk është paraqitur asnjë ankesë,” shtoi ai.
Zgjedhja formale e Berishës në krye të Partisë Demokratike vjen pas humbjes së thellë që pësoi koalicioni opozitar në zgjedhjet e fundit parlamentare të majit 2025, ku mori vetëm 50 mandate deputetësh përballë Partisë Socialiste që fitoi një mandat të katërt qeverisës me një mazhorancë gati cilësuese prej 83 mandatesh.
Për ekspertë të politikës, rizgjedhja pa rivalë e Berishës tregon mungesën e demokracisë së brendshme, ndërsa ngre shqetësime për të ardhmen e vetë opozitës.
“Fakti që PD po mbyll procesin e brendshëm zgjedhor me shumë kontestime në degët lokale dhe me një proces krejtësisht formal për zgjedhjen e kryetarit, provon atë që është thënë se kjo parti nuk është demokratike…,” tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike.
“Është një parti deri diku në funksion të një personi dhe rrethit të tij dhe nuk ka vlerë as vota, as rivaliteti dhe as shpresa që mund të ketë ndonjë garë në këtë lloj situate,” shtoi ai.
Për analistin politik, Fitim Zekthi, mungesa e garës për kryetar shihet si dëshmi e faktit që Partia Demokratike është në krizë, pasi nuk arrin të nxjerrë një kandidat që mund të sfidojë kryetarin aktual.
“Partia Demokratike ka shumë e shumë kohë që bën të njëjtën gjë, me të njëjtën gjuhë, me të njëjtët njerëz, me të njëjtin stil dhe me të njëjtin lidership,” tha Zekthi, duke shtuar se pavarësisht disfatave zgjedhore, vazhdohet në të njëjtën mënyrë.
Lela nuk iu përgjigj pyetjes lidhur me kritikat ndaj mungesës së demokracisë së brendshme, por e konsideroi këtë raund zgjedhor si “përgatitja e partisë për fazën tjetër të përballjes me narkoqeverinë, platforma e së cilës do të shpallet në Kuvendin Kombëtar të 30 majit”.
Kulti i individit
Berisha me profesion mjek, u zgjodh për herë të parë në krye të Partisë Demokratike në shtator 1991 në përballje me rivalët Gramoz Pashko dhe Azem Hajdari, me të cilët udhëhoqi protestat studentore që shënuan rënien e regjimit komunist.
Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë për t’u zgjedhur president i vendit në 1992, por e rimori përsëri drejtimin në vitin 1997. Në një lamtumirë politike që u duk se ishte fundi i karrierës së tij aktive, Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë me humbjen e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2013, pasi kishte qeverisur për tetë vite si kryeministër.
Por ai u rikthye sërish në vitin 2021, kur ish-beniamini i tij, Lulzim Basha i doli kundër dhe vendosi ta përjashtojë nga Partia pasi Berisha u shpall non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Berisha udhëhoqi një lëvizje politike brenda partisë dhe një betejë ligjore që kulmuan me rimarrjen e drejtimit të saj, por pa mundur ta rikthente atë triumfatore në përballjet elektorale që pasuan.
Nën drejtimin e ri në krye të partisë, Berisha u përball me një proces hetimor për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme, çështje e cila ka përfunduar tashmë në dyert e gjykatës. Ai e ka kundërshtuar me forcë akuzën si përndjekje politike të dirigjuar sipas tij nga Rama dhe eksponentë të prokurorisë dhe gjyqësorit.
Këmbënguljen e Berishës për të mbajtur me çdo kusht drejtimin e partisë, Krasniqi dhe Zekthi e shohin të lidhur pikërisht me llogaritë e tij të hapura me gjyqësorin dhe përdorimin e partisë si ‘mburojë’ politike.
Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike është kritik ndaj qasjes së Berishës për ta kontrolluar Partinë Demokratike individualisht, me qëllimin e imponimit në jetën politike të vendit.
“Individi mund të dominojë një parti nëse partia është e fortë, po nëse ajo është e dobët dhe vijon të jetë e dobët siç është PD, nuk është më një faktor politik që të bëhet krah, qoftë dhe në përballjen personale që ai ka me drejtësinë,” argumentoi Krasniqi.
Edhe për Zekthin, Berisha në krye të PD-së ofron një mundësi më të madhe për t’u mbrojtur në përballjen me drejtësinë. Përtej kësaj, Zekthi vëren se Partia Demokratike gjendet sot në një krizë politike edhe më të thellë, me kosto për të ardhmen e saj.
“Fakti që ai merr vota, është diçka që nuk ka kuptim logjik në një demokraci. Në një demokraci diskutohet nëse fiton pushtetin, nëse mund partinë në pushtet dhe jo njerëzit brenda partisë tënde,” tha Zekthi.
“Nuk mund të luftosh për pluralizmin, kur çdokënd që është kritik me PD-në e sulmon si të shitur apo si armik,” shtoi ai, duke vlerësuar se kjo sjellje do të ketë pasoja të pakthyeshme për Partinë Demokratike.
Drejtimi i një partie pa debat të hapur dhe në mungesë të rivalitetit politik, nuk është vetëm një tipar i Berishës, por edhe i kryeministrit Edi Rama në skajin tjetër të politikës.
Kjo sipas Krasniqit reflektohet më pas në nivelin demokratik të vendit.
“Përsa kohë nuk ka zgjedhje, pasi PS dhe PD i bëjnë ato krejtësisht formale, atëherë do të ishte utopi që qytetarët të presin që këto parti që nuk pranojnë asnjë lloj mendimi ndryshe e franksioni brenda tyre, do të na prodhojnë demokraci më të mirë për vendin, apo debate publike konstruktive,” tha Krasniqi.
“Partitë që bazohen në kultin e individit”, thotë Krasniqi, e njësojnë fatin me të dhe historia dëshmon se nuk kanë qenë të suksesshme në afatgjatë./ reporter.al
Po ndodh...
Sali Llapa
ide
Vetë Sali, vetë Kadi!
Të gjithë kundër vrasësit, askush kundër vetes!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128