Prej 6 vitesh në qeli, merret sot në Hagë vendimi për ish-krerët e UÇK. Kosova me masa të shtuara sigurie

16 September 2026, 08:23 / KOSOVA ALFA PRESS

Sot është dita e vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Pas një prej proceseve më të gjata dhe më të ndjekura që lidhen me luftën e Kosovës, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë pritet të shpallë verdiktin e shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë publike, me transmetim në shqip, anglisht dhe serbisht. Vendimi pritet me interes të jashtëzakonshëm në Kosovë, ndërsa në Prishtinë janë bërë përgatitje që qytetarët ta ndjekin atë drejtpërdrejt në një ekran të madh. Edhe në Hagë pritet prani e shqiptarëve të ardhur nga Kosova dhe vende të ndryshme të Europës.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023 dhe, pas dëshmive të qindra dëshmitarëve, mijëra dokumenteve dhe përballjes mes Prokurorisë dhe mbrojtjes, sot çështja mbërrin në momentin e saj vendimtar në shkallën e parë.

Katër ish-drejtuesit e UÇK-së përballen me dhjetë akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Mes tyre përfshihen përndjekja, burgosja, akte të tjera çnjerëzore, tortura, vrasja dhe zhdukja me forcë, si dhe akuza për arrestim e ndalim të paligjshëm ose arbitrar dhe trajtim mizor.

 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Specializuar, krimet e pretenduara janë kryer gjatë periudhës mars 1998–shtator 1999 në disa zona të Kosovës dhe në Kukës e Cahan, në veri të Shqipërisë. Prokuroria pretendon se viktimat përfshinin civilë, persona që nuk merrnin pjesë në luftime dhe njerëz të konsideruar kundërshtarë të UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Një prej përplasjeve kryesore gjatë procesit ka qenë pikërisht mënyra se si funksiononte dhe drejtohej UÇK-ja. Prokuroria ka argumentuar se të akuzuarit mbanin pozicione drejtuese dhe kishin përgjegjësi për veprimet që janë objekt i aktakuzës. Mbrojtja e ka kundërshtuar këtë tezë, duke argumentuar se UÇK-ja ishte një forcë guerile dhe vullnetare, pa strukturën vertikale të komandimit dhe kontrollit që, sipas saj, pretendon Prokuroria.

Në mbështetje të kësaj teze, përpara trupit gjykues kanë dëshmuar edhe figura të njohura amerikane që kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me zhvillimet në Kosovë gjatë luftës, mes tyre gjenerali në pension Wesley Clark dhe ish-zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin.

Prokuroria e mbylli paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa mbrojtja nisi çështjen e saj në shtator të po atij viti. Faza e paraqitjes së provave përfundoi më 18 dhjetor 2025. Palët dorëzuan parashtresat përfundimtare në janar të këtij viti, ndërsa deklaratat përmbyllëse u zhvilluan nga 9 deri më 18 shkurt.

Në total, gjatë gjykimit janë dëgjuar 134 dëshmitarë: 125 të thirrur nga Prokuroria, dy nga përfaqësuesit e viktimave dhe shtatë nga mbrojtja. Në proces janë pranuar gjithashtu 156 persona me statusin e viktimave pjesëmarrëse.

Prokuroria e Specializuar ka kërkuar një dënim jashtëzakonisht të rëndë: 45 vite burg për secilin prej katër të akuzuarve. Mbrojtja, në anën tjetër, ka kërkuar rrëzimin e akuzave dhe shpalljen e tyre të pafajshëm.

Pikërisht këto dy qëndrime diametralisht të kundërta do të marrin sot përgjigjen e parë nga gjykata.

Vendimi do të jepet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari amerikan Charles L. Smith III, gjyqtari gjerman Christoph Barthe dhe gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux. Gjyqtari irlandez Fergal Gaynor është gjyqtar rezervë. Për të shpallur fajësinë, trupi gjykues duhet të arrijë në përfundimin se përgjegjësia penale është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm, duke shqyrtuar veçmas secilin të akuzuar dhe secilën pikë të aktakuzës.

Në Kosovë, pritja e vendimit ka marrë përmasa shumë më të mëdha se një seancë e zakonshme gjyqësore. Ditët e fundit në Prishtinë janë shfaqur fotografi të ish-drejtuesve të UÇK-së dhe mesazhe si “Liria ka emër”, ndërsa më 12 shtator mijëra qytetarë morën pjesë në “Marshin për Liri”.

Për sot është përgatitur edhe një ekran i madh në Prishtinë, ku qytetarët do të mund të ndjekin shpalljen e vendimit. Ndërkohë, qindra shqiptarë raportohet se kanë udhëtuar drejt Hagës për të qenë pranë ndërtesës së gjykatës në momentin e shpalljes së verdiktit.

Edhe situata e sigurisë është në vëmendje. KFOR-i ka konfirmuar se ka ndërmarrë masa operative përpara vendimit, ndërsa NATO ka ritheksuar angazhimin për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

Për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, sot mbyllet një kapitull vendimtar i një procesi që nisi me arrestimin dhe transferimin e tyre në Hagë në nëntor 2020. Për Kosovën, vendimi pritet të ndiqet shumë përtej sallës së gjyqit, për shkak të rolit që katër të akuzuarit kanë pasur gjatë luftës dhe më pas në jetën politike dhe institucionale të vendit.

Në orën 10:00, pas rreth 6 vitesh paraburgim, qindra dëshmive dhe një beteje të gjatë juridike, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi do të dëgjojnë vendimin e trupit gjykues.

Çfarëdo që të vendoset sot, bëhet fjalë për vendimin e shkallës së parë. Procedurat e parashikuara nga Dhomat e Specializuara u japin palëve mundësinë që vendimi të kundërshtohet në apel.

 

Po ndodh...

ide