“Kam humbur dy herë, dua ta provoj sërish finalen”/ Xhaka ëndërron suksesin me Sunderlandin

15 September 2026, 23:50 / SPORT ALFA PRESS

“Kam humbur dy herë, dua ta provoj sërish finalen”/  Xhaka

Granit Xhaka ka një objektiv të qartë me Sunderlandin në Ligën e Evropës: të arrijë sërish në finale dhe këtë herë të fitojë trofeun.

Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane ka luajtur më parë në dy finale të Ligës së Evropës, me Arsenalin dhe Bayer Leverkusenin, por i ka humbur të dyja. Tani, në aventurën e tij me Sunderlandin, ai shpreson të ketë mundësinë ta provojë edhe një herë.

Xhaka do ta udhëheqë të mërkurën si kapiten Sunderlandin në përballjen ndaj AZ Alkmaarit, që zhvillohet në orën 21:00. Për klubin anglez, kjo është një ndeshje e veçantë, pasi Sunderlandi rikthehet në garat evropiane pas 53 vitesh.

Megjithatë, Xhaka ka theksuar se Liga Premier mbetet prioriteti kryesor i skuadrës. Sipas tij, pjesëmarrja në Ligën e Evropës është një shpërblim për punën e bërë dhe një sfidë që duhet shijuar.

“Liga Premier është prioritet, por bonusi në Ligën e Evropës është diçka që po përpiqemi ta marrim dhe është thjesht një sfidë e madhe për ne. Kam qenë dy herë në finale, kam humbur dy herë në finalen e Ligës së Evropës, kështu që për mua është një ëndërr e madhe të arrij një tjetër finale me Sunderlandin”, ka thënë Xhaka në konferencën për media.

Kapiteni i Sunderlandit ka folur edhe për atmosferën që pritet të krijohet në stadium, duke theksuar se tifozët e klubit e meritojnë një natë të tillë pas rikthimit në Ligën Premier dhe në garat evropiane.

“E dimë që sezonin e kaluar shkruam diçka në historinë tonë dhe mund të fillosh të ndjesh edhe entuziazmin e njerëzve. Mendoj se stadiumi do të jetë në flakë nesër, sepse tifozët e meritojnë, klubi i futbollit e meriton. Dhe si lojtarë, pas punës së madhe të edicionit të kaluar, ne meritojmë të jemi aty ku jemi”, është shprehur ai.

Xhaka ka theksuar gjithashtu rëndësinë e energjisë dhe mentalitetit në dhomën e zhveshjes, duke thënë se këtë atmosferë e ka ndier që nga dita e parë te Sunderlandi.

“Para së gjithash, ju nevojitet energjia në dhomën e zhveshjes, dhe kjo është ajo që kemi. Hapi i parë që bëra sezonin e kaluar në dhomën e zhveshjes më dha një ndjesi shumë të mirë. Pra, energjia, mentaliteti për lojtarët e rinj dhe për grupin është i mahnitshëm”, ka deklaruar Xhaka.

Po ndodh...

ide