Presidentja Justina Shiroka Pula e nis detyrën me homazhe në Prekaz

8 October 2026, 13:28 / KOSOVA ALFA PRESS

Presidentja Justina Shiroka Pula e nis detyrën me homazhe në Prekaz

Presidentja e re e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula e ka nisur ditën e parë të detyrë sot me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Në Prekaz, presidentja Shiroka Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari. “Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, është shprehur Shiroka Pula.

Gjatë homazheve te varri i presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.

“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi presidentja.

Presidentja Justina Shiroka Pula e nis detyrën me homazhe në Prekaz

Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, presidentja Justina Shiroka Pula nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.

“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.

Po ndodh...