“Prishtina nuk kërkon privilegj, por barazi”/ Presidentja e Kosovës thirrje BE-së: Mos lini askënd pas në procesin e integrimit!

27 November 2026, 21:39 / KOSOVA ALFA PRESS
“Prishtina nuk kërkon privilegj, por barazi”/ Presidentja e

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos zbatojë standarde të dyfishta në procesin e zgjerimit, duke kërkuar që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të përparojnë drejt anëtarësimit mbi bazën e meritave dhe kritereve të barabarta.

Gjatë fjalës së saj në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, të mbajtur në Ohër, Shiroka-Pula theksoi se Kosova nuk kërkon privilegje, por barazi, respekt dhe trajtim të drejtë nga institucionet evropiane.

Ajo paralajmëroi se zvarritja e procesit të integrimit dhe mungesa e përparimit drejt statusit të vendit kandidat po dëmtojnë besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane.

Presidentja kritikoi gjithashtu Bashkimin Evropian për përjashtimin e Kosovës nga Forumi i Zgjerimit, i organizuar më 16 nëntor në Bruksel, ku u diskutua e ardhmja evropiane e rajonit.

 

Sipas saj, në të njëjtin aktivitet u interpretua edhe një këngë nacionaliste që vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Është paradoksale që, në një aktivitet kushtuar zgjerimit dhe vlerave evropiane, Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional dhe të lejohen mesazhe që cenojnë realitetin e saj shtetëror”, deklaroi Shiroka-Pula.

Ajo theksoi se BE-ja nuk mund të ndërtojë unitet duke toleruar simbole dhe praktika që nxisin ndarje, ndërsa kërkoi përparim konkret në integrimin ekonomik, heqjen e tarifave të roamingut dhe zbatimin e Planit të Rritjes.

Në fjalën e saj, presidentja u ndal edhe te siguria rajonale, duke theksuar se Kosova po investon në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe është e gatshme të bashkëpunojë me aleatët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Në margjinat e samitit, Shiroka-Pula zhvilloi takime me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, si dhe me presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq.

Gjatë takimit me homologen maqedonase u diskutua për projektin e tunelit Prizren-Tetovë, rivendosjen e linjës hekurudhore Prishtinë-Shkup dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Shiroka-Pula ritheksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa në takimet me homologët e tjerë nënvizoi se anëtarësimi në NATO mbetet një nga prioritetet strategjike të Kosovës.

 

Po ndodh...