Buxheti “fut në sherr” vendet e BE-së, Samiti i Brukselit mbyllet para kohe

27 November 2026, 15:44 / BOTA ALFA PRESS

Buxheti “fut në sherr” vendet e BE-së, Samiti i Brukselit

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, kërkoi shkurtime të tjera në buxhetin e përbashkët të Bashkimit Europian, duke kundërshtuar propozimin e fundit për financimin e periudhës 2028-2034.

Mosmarrëveshjet mes liderëve europianë për nivelin e shpenzimeve kanë bërë që samiti në Bruksel të përfundojë më herët se sa ishte planifikuar. Merz e cilësoi ende tepër të lartë propozimin për buxhetin, pavarësisht se ai ishte shkurtuar tashmë me rreth 204 miliardë euro.

“Vëllimi ende mbetet shumë i lartë. Ai duhet të jetë i përballueshëm edhe për shtetet anëtare që do ta financojnë”.

Udhëheqësit e BE-së synojnë të arrijnë një marrëveshje për buxhetin në takimin e ardhshëm, që pritet të mbahet në dhjetor, para festave të Krishtlindjes. Sipas propozimit të presidentit të Këshillit Europian, António Costa, buxheti i BE-së për shtatë vitet e ardhshme do të arrinte në rreth 1,78 trilion euro.

Një tjetër çështje e rëndësishme në samit ishte mbështetja financiare për Ukrainën, për të cilën Merz kërkoi angazhim nga të gjitha vendet anëtare. Ai kundërshtoi përjashtimin e Sllovakisë, Çekisë dhe Hungarisë nga pjesëmarrja në garantimin e kredisë prej 90 miliardë eurosh për Kievin. Kancelari theksoi se ndihma për Ukrainën nuk synon zgjatjen e luftës, por krijimin e kushteve për mbylljen e saj e saj.

Ai paralajmëroi gjithashtu se vazhdimi i luftës mund të shkaktojë valë të reja refugjatësh ukrainas drejt vendeve europiane. Qëndrimin e kancelarit gjerman e mbështeti edhe kancelari austriak, Christian Stocker, i cili kërkoi një zgjidhje të përbashkët evropiane për financimin e Ukrainës. Megjithatë, kryeministri çek, Andrej Babiš, kundërshtoi lidhjen e kësaj çështjeje me negociatat për buxhetin e përgjithshëm të BE-së. Sipas tij, ndihma financiare për Ukrainën duhet të negociohet veçmas, pasi Çekisë i nevojiten fondet për shpenzime të tjera. Negociatat janë ende në fazën fillestare, ndërsa një marrëveshje për buxhetin shumëvjeçar pritet të kërkohet në samitin e ardhshëm, para Krishtlindjes.

Po ndodh...