Zelensky kritik për miqësinë Trump-Putin! Kievi ankohet për vonesa të raketave mbrojtëse dhe kërkon presion ndaj Moskës

27 November 2026, 15:00 / BOTA ALFA PRESS

Zelensky kritik për miqësinë Trump-Putin! Kievi ankohet për

“Një agresor dhe vrasës nuk mund të jetë mik.” Me këto fjalë, Volodymyr Zelensky kundërshtoi cilësimin që Donald Trump i ka bërë Vladimir Putinit.

Në një intervistë për BBC nga zyra e tij në Kiev, presidenti ukrainas e quajti të çuditshme edhe publikimin nga Trump të një fotografie ku përqafonte udhëheqësin rus.

Kritikat shkojnë përtej gjesteve. Zelensky akuzoi Uashingtonin se nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Moskës në negociatat për paqe. Sipas tij, neutraliteti ndaj agresorit përfundon duke mbështetur njëkohësisht viktimën dhe sulmuesin.

Shtetet e Bashkuara e mbrojnë qëndrimin e tyre si pjesë të përpjekjeve për një marrëveshje të qëndrueshme. Trump deklaroi se i kishte kërkuar Putinit të tërhiqej nga agresioni ushtarak ndaj territoreve evropiane dhe se paqja me Ukrainën mbetej një mundësi reale.

Bisedimet pritet të rifillojnë në dhjetor, por Zelensky tha se pjesëmarrja e negociatorëve evropianë ende nuk është e qartë.

Ndërkohë, Kievi kërkon urgjentisht raketa për të ndalur goditjet balistike ruse. Zelensky foli për mungesa shumë të mëdha dhe vonesa amerikane në furnizimet për mbrojtjen Patriot, duke pretenduar se Uashingtoni po i jep përparësi Lindjes së Mesme.

“Mungesa e këtyre raketave do të thotë jetë njerëzish”, deklaroi ai.

Presidenti ukrainas konfirmoi gjithashtu kufizime të sistemeve satelitore Starlink dhe Starshield në territoret e pushtuara, por tha se nuk e dinte kush e kishte marrë vendimin politik.

Zelensky mbrojti edhe sulmin ndaj korvetës ruse “Merkury” në Libi. Pas shqetësimit të kryeministres italiane Giorgia Meloni për përhapjen e luftës në Mesdhe, ai e cilësoi anijen objektiv legjitim. Sipas tij, Ukraina i bashkërendon operacione të tilla me partnerët, pa specifikuar se me cilët.

Përpara dimrit, shqetësimi kryesor mbetet mbrojtja e qyteteve dhe e furnizimit me energji. Zelensky tha se Rusia synon t’i detyrojë banorët të largohen, por këmbënguli se Ukraina do ta mbrojë kryeqytetin.

Po ndodh...