PD propozon Jorida Tabakun për Bashkinë e Tiranës

27 November 2026, 11:47 / POLITIKË ALFA PRESS

PD propozon Jorida Tabakun për Bashkinë e Tiranës

Disa degë të Partisë Demokratike në Tiranë kanë propozuar deputeten Jorida Tabaku si kandidate të mundshme për zgjedhjet për Bashkinë e kryeqytetit, që do të mbahen më 9 maj.

Burime për mediat bëjnë me dije se emri i Tabakut është përfshirë në listën e propozimeve të strukturave demokrate, ndërsa ajo mbetet një prej figurave të njohura të PD-së në kryeqytet.

Tabaku ka një eksperiencë të mëparshme në drejtimin vendor, pasi në vitin 2011 ka mbajtur postin e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës. Prej vitit 2013 ajo është deputete e Kuvendit, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 rezultoi deputetja më e votuar e PD-së në Tiranë.

Megjithatë, pavarësisht propozimit, Tabaku nuk ka shfaqur ambicie për të kandiduar për drejtimin e bashkisë.

Në listën e emrave të propozuar nga demokratët janë edhe Belind Këlliçi, Ethem Aga dhe Klevis Balliu. Ndërkohë, emri që deri tani duket se ka marrë mbështetjen më të madhe brenda strukturave të partisë është ai i mjekut Ilir Alimehmeti, i cili shihet si kandidati më i mundshëm i PD-së për këtë garë.

Procesi i propozimeve nga strukturat e Partisë Demokratike pritet të vijojë deri më 30 nëntor. Pas kësaj date do të nisë faza e përzgjedhjes së 46 kandidatëve që demokratët synojnë të nxjerrin në zgjedhje, në përballjen politike me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama.

Po ndodh...