PS kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të PD/ Mes protestave masive studentore, Sekretariati i Etikës mblidhet nesër online përmes “Zoom”-it

22 October 2026, 16:57 / POLITIKË ALFA PRESS
PS kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të PD/ Mes protestave

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend do të mblidhet nesër, më 23 tetor, për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin nga seancat plenare të 20 deputetëve të Partisë Demokratike.

Mbledhja është njoftuar të zhvillohet në orën 10:00 dhe, ndryshe nga mbledhjet me prani fizike, këtë herë do të mbahet online, përmes platformës Zoom.

Vendimi për zhvillimin e mbledhjes në distancë vjen në një kohë kur Tirana dhe qytete të tjera të vendit po përballen me protesta masive të studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë.

Kërkesa për masa disiplinore është paraqitur gjatë ditës së sotme nga një grup deputetësh socialistë, pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara në Kuvend.

 

Konkretisht, PS kërkon përjashtimin për 60 ditë të gjashtë deputetëve demokratë: Flamur Noka, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Edi Paloka, Besart Xhaferri dhe Luçiano Boçi. Ndërkohë, për 14 deputetë të tjerë të opozitës kërkohet përjashtimi për 10 ditë.

Në njoftimin e dërguar anëtarëve të Sekretariatit nga Shërbimi i Seancës Plenare, bëhet e ditur se rendi i ditës do të ketë vetëm shqyrtimin e kërkesës së socialistëve për marrjen e masave disiplinore.

“Të nderuar anëtarë të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, bëj me dije se ditën e nesërme, e premte, datë 23 tetor 2026, ora 10:00, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën zhvillon mbledhje për të diskutuar lidhur me shqyrtimin e kërkesës të një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për marrje mase disiplinore”, thuhet në njoftim.

Në fund të komunikimit, të firmosur nga përfaqësuesja e Shërbimit të Seancës Plenare, konfirmohet se mbledhja do të zhvillohet online dhe anëtarëve u është përcjellë linku për pjesëmarrje.

 

Po ndodh...