Edhe akullore edhe çokollatë e ka emrin Brownie

2 Maj 2022, 07:00 / RECETA ALFA ALFA PRESS

Edhe akullore edhe çokollatë e ka emrin Brownie

Brownie s’është gjë tjetër veç një kek shumë i pasur në çokollatë. Në përgjithësi receta përmban gjithashtu arra. Për të gjithë ata që nuk janë ekspertë në kuzhinë mund të lind pyetja se cili është dallimi  mes një keku me çokollatë dhe brownie? Ndryshe nga keku që fryhet dhe është i butë si një sfungjer, brownie është i sheshtë dhe vjen i ngurtë. Edhe në servirje, në dallim nga keku brownie shërbehet në copa të vogla katrore. Pra mund të themi se i ngjan një biskote kafe prej ku mendohet se ka marr dhe emrin.

Brownie me akullore

Koha e përgatitjes:25 minuta

Koha e gatimit: 25 minuta

Vështirësia mesatare

Për 16 katrorë

Përbërësit: 185 gr gjalpë, 370 gr çokollatë fondente, 250 gr sheqer, 3 vezë XL, 180 gr miell të situr, 50 gr kakao, 1 bustinë vanilje.

Përgatitja

1.       Prisni gjalpin në kubik dhe vendoseni në një tas. Shtoni  250 gr nga çokollata fondente të copëtuar.

2.       Vendoseni tasin në banjomari ( brenda një ene me ujë që vlon) dhe përziejeni mirë derisa të shkrihet. Mund të përdorni edhe mikrovalën.

3.       Shtoni sheqerin dhe përziejeni mirë sa të lidhet me masën e çokollatës.

4.       Shtoni vezët, vaniljen, miellin dhe kakaon. Përziejini vazhdimisht dhe në fund shtoni 120 gr nga  çokollata e mbetur në copa. Nëse dëshironi mund të shtoni një grusht arra.

5.       Zgjidhni një tavë  katrore. Shtrojeni me letër furre dhe bëni mbushjen me brownie. I vendosim në furrë dhe i pjekim për 25 minuta në furrë të parangrohur në 180 gradë.

6.       Në përfundim të  pjekjes lëreni të ftohet pak, prijini në katrorë  dhe më pas shërbejeni me akullore sipas shijes tuaj.

Këshillat e shefit

Ø  Vezët duhet të jenë në temperaturën e dhomës kur t’i vendosni në gatim, në mënyrë që brownies të jenë të buta dhe të piqen në mënyrë të barabartë.

Ø   Nëse harroni t’i nxirrni vezët një orë më parë, lërini në një tas me ujë të ngrohtë për rreth 15 minuta.

Ø  Vendosni tavën me brownie në qendër të furrës dhe prisni derisa furra të jetë tërësisht e ngrohur.

Po ndodh...