Kunguj të mbushur me oriz dhe mish të grirë

25 Prill 2025, 08:21 / RECETA ALFA ALFA PRESS

Kunguj të mbushur me oriz dhe mish të grirë

Përbërësit:

4-6 kunguj mesatarë
200 gr mish i grirë
1 filxhan oriz
1 qepë e grirë
3-4 lugë vaj
2 domate ose 3 lugë salcë domate
2 thelpinj hudhër (sipas dëshirës)
Majdanoz, kopër ose nenexhik
Kripë, piper sipas shijes

Përgatitja:

Lajmë mirë kungujt, presim kapakun sipër dhe me kujdes heqim pjesën e brendshme me një lugë (pa e çarë kungullin). Pjesën e brendshme e grijmë hollë për t'a përdorur në mbushje. Në një tigan skuqim qepën dhe hudhrën me pak vaj.

Shtojmë mishin e grirë, kungullin e grirë, domatet, orizin dhe erëzat. E lëmë të gatuhet për 7-10 minuta, derisa masa të lidhet. Shtojmë pak ujë në fund që mbushja të mos jetë shumë e thatë. Mbushim kungujt pa e ngjeshur mbushjen, vendosim kapakët e tyre ose feta domateje. I vendosim kungujt në tenxhere, shtojmë pak vaj, kripë, ujë ose lëng perimesh dhe i lëmë të ziejnë në zjarr të ulët ose mund t'i vendosim në furrë në pjekje në 190°C për 40–45 minuta.