Rindërtimi i Ukrainës, Rama merr pjesë në konferencën në Poloni

25 June 2026, 12:07 / POLITIKË ALFA PRESS
Rindërtimi i Ukrainës, Rama merr pjesë në konferencën

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference-URC 2026), e cila do të zhvillohet më 25-26 qershor në Gdansk të Polonisë.

Konferenca synon të forcojë mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën dhe të mobilizojë investime për rindërtimin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.

Punimet do të përqendrohen te sektorët më të prekur nga agresioni rus, përfshirë energjinë, infrastrukturën kritike dhe logjistikën, si edhe te forcimi i kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes, të konsideruara thelbësore për procesin e rindërtimit.

Gjatë vizitës, Rama do të pritet nga Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, dhe do të marrë pjesë së bashku me delegacionin që e shoqëron, në ceremoninë zyrtare të hapjes së konferencës. Më pas, ai do të mbajë një fjalë përshëndetëse në sesionin e dytë plenar.

Gjatë qëndrimit Rama do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me homologë të tij, si dhe me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos.

Sipas axhendës, Rama do të takohet gjithashtu me drejtues të kompanive ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues të sektorëve të energjisë dhe investimeve, me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe identifikimin e mundësive të reja për zhvillim.

Konferenca për Rindërtimin e Ukrainës shërben si platforma kryesore ndërkombëtare për koordinimin e mbështetjes politike, financiare dhe ekonomike ndaj Ukrainës, duke bashkuar aktorë publikë dhe privatë në funksion të rimëkëmbjes dhe transformimit afatgjatë të vendit.

 

Po ndodh...

ide