Rrjeti kinez i spiunazhit kibernetik godet institucionet amerikane

27 August 2026, 14:15 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

Një rrjet i dyshuar spiunazhi kibernetik i lidhur me Kinën ka vënë në alarm Shtetet e Bashkuara. Në shënjestër kanë qenë institucione kyçe si NASA, Senati amerikan, Rezerva Federale dhe Departamenti i Drejtësisë. Autoritetet amerikane kanë sekuestruar adresat e online te  përdorura për sulmet, ndërsa Pekini mohon akuzat dhe i kundërpërgjigjet Uashingtonit. Një tjetër front përplasjeje mes dy superfuqive, këtë herë në luftën për kontrollin e informacionit dhe sigurisë dixhitale.

Një tjetër përballje mes Uashingtonit dhe Pekinit, por këtë herë beteja është zhvilluar në botën dixhitale.

Autoritetet amerikane kanë goditur një rrjet të gjerë spiunazhi kibernetik, të lidhur sipas tyre me një kompani kineze, e cila dyshohet se prej vitesh ka synuar institucione dhe rrjete të ndjeshme në Shtetet e Bashkuara.

Në shënjestër kanë qenë emra të rëndësishëm të administratës amerikane: Departamenti i Drejtësisë, NASA, Rezerva Federale dhe Senati amerikan.

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi sekuestrimin e domeneve të përdorura nga dy platforma, QScan dhe QTRouter, që dyshohet se shërbenin si pjesë e infrastrukturës për kryerjen e sulmeve kibernetike.

Sipas autoriteteve amerikane, rrjeti mund të ketë operuar që prej vitit 2018, duke synuar infrastrukturë kritike dhe sisteme të ndjeshme jo vetëm në SHBA, por edhe në vende të tjera.

Në mesin e objektivave të dyshuara kanë qenë laboratorë të Departamentit të Energjisë, institucione të shëndetësisë, kontraktorë të mbrojtjes, institucione financiare dhe universitete.

Hetuesit amerikanë e lidhin aktivitetin me kompaninë kineze të teknologjisë.

Por Pekini i ka hedhur poshtë akuzat. Ambasada kineze në Uashington deklaron se Kina kundërshton dhe lufton çdo formë të sulmit kibernetik, duke akuzuar SHBA-në se po përdor çështjet e sigurisë kibernetike për të diskredituar Kinën.

Dhe ndërsa SHBA çmonton një rrjet të dyshuar spiunazhi dixhital, përplasja mes dy superfuqive duket se po zhvendoset gjithnjë e më shumë në frontin kibernetik.

Po ndodh...