Shefi i inteligjencës gjermane paralajmëron: Gjermania rrezikon konflikt të armatosur me Rusinë

5 October 2026, 13:02 / BOTA ALFA PRESS
Shefi i inteligjencës gjermane paralajmëron: Gjermania rrezikon

Gjermania rrezikon të përfshihet në një konflikt të armatosur me Rusinë, ndërsa Moska po intensifikon atë që Berlini e konsideron një “luftë në hije” gjithnjë e më agresive kundër demokracive evropiane.

Paralajmërimi u bë nga Martin Jaeger, kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Jashtme të Gjermanisë (BND), gjatë një seance publike vjetore me drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës, të hënën.

Jaeger tha se përballja me Rusinë ka hyrë në një “dimension të ri dhe më të rrezikshëm”, duke e cilësuar Moskën si kërcënimin më të drejtpërdrejtë dhe konkret për Gjermaninë.

“Asnjë vend tjetër aktualisht nuk përbën një kërcënim kaq të drejtpërdrejtë, gjithëpërfshirës dhe konkret për Gjermaninë”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Sipas Jaeger, Berlini nuk e ka kërkuar këtë përballje, por Rusia po e imponon atë, duke e konsideruar Gjermaninë një nga kundërshtarët kryesorë për shkak të refuzimit të politikave ekspansioniste të Kremlinit dhe mbështetjes për Ukrainën.

Paralajmërimi gjerman vjen në një moment tensionesh të shtuara mes Rusisë dhe Perëndimit. Kremlini ka kërcënuar se Ukraina “do ta paguajë çmimin”, pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Kievi do të vazhdojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.

Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi gjatë vizitës në Kiev një paketë të re prej 1 miliard eurosh ndihmë ushtarake për Ukrainën, në shenjë mbështetjeje për presidentin Zelensky.

Paketa përfshin armë me rreze të gjatë veprimi, dronë luftarakë dhe teknologji satelitore, me synimin që Ukraina të jetë në gjendje të godasë edhe bazat nga ku Rusia lëshon sulmet.

“Që Ukraina të mund të godasë edhe platformat e lëshimit ruse”, tha Merz gjatë një konference për media në Kiev.

Po ndodh...