‘Për një gotë raki…’, zanafilla e hasmërisë së përgjakshme mes ‘Mandelave’ dhe ‘Bandës së Cërrikut’

26 Mars 2025, 21:52 / AKTUALITET ALFA PRESS

‘Për një gotë raki…’, zanafilla e

Arjan Toska, banor i lagjes “Beqir Dardha” në Elbasan, u largua nga qyteti pas një hasmërie të përgjakshme me bandën e “Mandelës”.

Lufta mes tyre nisi në mënyrën më absurde: për një gotë raki! Ndoshta ujë…Një ngatërresë që u konsiderua cenim i burrërisë dhe autoritetit.

Në këtë lokal që shihni, i njohur në vitin 1997 si lokali i “Sudës”, pasditen e 14 prillit të ’97-tës, futen Arjan Toska dhe Enver Peqini. Aty ndodhej Eduart Peqini, i njohur si “Mandela”, vëllai i tij Astrit Peqini, me pseudonimin “Pelo”, djali i tezes së tyre Dashamir Bisku, i njohur si Murrashi, dy persona nga Fieri dhe një vajzë.

Këta kanë kryer krimet më të shumta në qytetin e Elbasanit në atë periudhë, dhe të gjithë janë të dënuar ose kanë ndërruar jetë” u shpreh Alban Qafa, avokat.

‘Ata kanë qenë persona të atij komuniteti personat që kishin mundësi të grupoheshin për të ruajtura territorin e vet nga ngjarje të tjera’, u shpreh  Kreshnik Muftari, pedagog i drejtësisë.

Arjani dhe Enveri, pasi përshëndesin njerëzit që ishin brenda, ulen në një tavolinë ku qëndronte i vetëm një i moshuar.

Në këtë moment kamerieri shkon në tavolinën e tyre dhe i jep një gotë me ujë të moshuarit, duke i thënë se e ke nga “Mandela”.

Duke menduar se po pinte raki, i moshuari ngriti dolli, por kur kuptoi se ishte ujë, ia hodhi kamerierit në fytyrë. Uji spërkati vajzën që ishte ulur “Mandela”, me miqtë e tij.

Mandela e konsideroi aktin e plakut si të qëllimshëm dhe e nisi me ofendime. Kur kushëriri Enver Peqini i kërkoi të qetësohej, ai e ofendoi rëndë edhe atë. Arjan Toska ndërhyri duke i thënë Mandelës të ndalonte sharjet ndaj kushëririt.

Ka nisur grindja midis Eduart dhe Enver Peqinit, e në këtë kohë ka ndërhyrë Arjan Toska duke u thënë “Nuk ka lezet të ziheni se jeni djem xhaxhallarësh”.

Ndërhyrja e Toskës vetëm sa e shtoi tensionin. Situata, degradoi në dhunë fizike mes dy grupeve që përdorën shishe dhe mjete të tjera.

Pasi dëgjon për sherrin, aty vjen edhe vëllai i vogël i “Mandelës”, Gazmend Peqini, i cili ishte ngjitur me lokalin duke luajtur bilardo.

Në këtë moment Eduart Peqini, urdhëron “Murrashin”, që të shkojë të marrë armët për të vrarë Toskën dhe djalin e xhaxhait të tij.

Pas disa minutash “Mandela”, “Pelo”, dhe “Murrashi”, kthehen të armatosur dhe qëllojnë drejt Arjan Toskës dhe Enver Peqinit, të cilët ju kundërpërgjigjen me zjarr. Nga të shtënat mbeti i vrarë Gazmend Peqini, vëllai i “Mandelës”. Arjani dhe Enveri pas ngjarjes, u larguan menjëherë nga lagja “Tabakane”, ku u rritën duke u fshehur në Cërrik…

Në momentin që janë kryer nuk është zbuluar autori, por që ka raste që janë zbuluar pas 15 vitesh dhe tani ka procese të ngritura në gjykatat e posaçme ku autorët e këtyre veprave penale po përballen me drejtësinë’ u shpreh Saida Dollani, Kryetare Apelit Gjykatës Posaçme./Top Channel