Bullizmi online/ Rrëfimi i oficeres së sigurisë: Gjimnazistët më të qetë, nxënësit e 9-vjeçares duan të duken më të rritur

10 Maj 2023, 20:51 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Bullizmi online/ Rrëfimi i oficeres së sigurisë:


Bullizmi në shkolla është në rritje. Sipas oficeres së sigurisë në shkollën e mesme “Sami Frashëri”, Xhesika Grëmi, mes gjimnazistëve ka më pak konflikte fizike, por bullizmi dhe dhuna verbale janë të pranishme. Sipas saj pikënisja është në rrjetet sociale.

“Gjimnazistët janë të qetë, nuk mund të them që nuk ka bullizëm, por ai mund të jetë në rrjetet sociale aty ku adoleshentët flasin pasdite, në orët e vona të darkës dhe aty ku fillojnë e cenohen. Këtë fenomen e kemi dhe ne, ne kemi mundur që këto incidente t’i parandalojmë.”

Sipas oficeres së sigurisë në gjimnazin “Sami Frashëri” nxënësit në vit të parë u vinë me probleme dhe konflikte të mbartura nga shkollat 9-vjeçare.

“Këtë e shohim dhe te vitet e para sivjet, ka një tendencë mbase nga 9-vjeçarja që duan të duken më të rritur, të bëhen pjesë e shoqërisë. Ndahen nga shoqëria e mëparshme dhe duan të bien pak në sy dhe në momentet e para na duhet të komunikojmë shumë me to.”

Por suksesi sipas saj në shmangien e konflikteve është komunikimi i ngushtë i shkollës më prindërit.

“Bëmë një komunikim të drejtëpërdrejtë me prindërit dhe kemi mundur t’i normalizojmë dhe të mos lejojmë që nxënësit të përjetojnë stres apo ankth.”

Në semestrin e dytë të këtij vitit shkollor, oficerë sigurie janë vendosur edhe në shkollat 9-vjeçare që kanë numër të madh nxënësish./TvKlan