Ç’do ta mbronte Evropën nga krizat?

30 Nëntor 2022, 19:04 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Ç’do ta mbronte Evropën nga krizat?

Kriza financiare private dhe krizat shtetërore të borxheve kanë bërë që vendet e eurozonës të kenë mosmarrëveshje të mëdha me njera-tjetrën.

E gjitha filloi me një bum kredish masive në periferitë e Evropës, në Jug dhe në Irlandë. Kjo u bë e mundur, sepse "..bankat dhanë kredi me shumë mendjelehtësi dhe bankat mbanin shumë pak kapital të vetin", thotë eksperti i ekonomisë dhe këshilltari qeveritar, Clemens Fuest. Prandaj, sipas mendimit të tij, në qendër duhet të jetë një reformë themelore e sistemit financiar. Hapat e parë janë ndërmarrë.

"Basel III" quhet paketa e reformave të Komitetit të Bazelit për Rregullimin Ndërkombëtar të Pagesave të Bankave e cila ka si qëllim kryesor një kuotë më të lartë kapitali individual për bankat. Por sipas Clemens Fuest nga Universiteti i Oksfordit këto masa nuk shkojnë aq larg sa duhet: "Vendimmarrësit nuk janë ende gati të vendosin që obligacionet shtetërore duhet të jenë në të ardhmen të mbështetura nga kapitali vetiak".

Deri tani obligacionet shtetërore konsideroheshin si investime pa rrezik. Për të blerë këto lloj bonosh bankave nuk u duhet të depozitojnë asgjë si garanci. Edhe kjo ka çuar në rritjen e borxhit të shteteve. Për të shlyer këtë borxh, vendet deficitare duhet të eksportojnë më shumë dhe të arrijnë një suficit të bilanceve.

Për këtë duhet të rritet aftësia konkurruese e vendeve periferike. "Këto investime përfshijnë, për shembull ato në infrastrukturën e tyre. Kjo është ideja, për shembull, për zhvillimin e rrjeteve trans-europiane të energjisë elektrike dhe të gazit. Këtu ka një mundësi të madhe për shembull për vendet e Jugut, që të krijojnë vërtet vlera në fushën e energjisë së rinovueshme ."

Gjithashtu, edhe vendet deficitare duhet të përballojnë rënie të mëtejshme të mirëqënies për t'u bërë përsëri konkurruese. Megjithatë, vështrimi nuk mund të përqendrohet vetëm tek shtetet me borxhe. Sepse deficitet e njërit janë tepricat e të tjerëve. Edhe këto zhbalancime të mëdha në zonën e euros kanë çuar në problemet e sotme.

Meqenëse në vitet e fundit tepricat më të mëdha janë në Gjermani duhet që tani edhe gjermanët të veprojnë në anën tjetër, thotë Jürgen Trittin: "Gjermania duhet të bëjë diçka, për shembull, për të shmangur dobësitë në kërkesat e tregut të brendshme. Këto përfshijnë masa të tilla si futjen e një page ligjore minimale.

Nëse vendeve të tjera u predikohet se pagat duhet të zhvillohen vetëm me produktivitetin, pra që nuk lejohet të rriten më shpejt se produktivitetit, atëherë në Gjermani duhet bërë e kundërta, pagat nuk mund të mbeten gjithnjë pas produktivitetit."

Komisioni i BE-së dëshiron të vazhdojë të vëzhgojë me kujdes balancën ekonomike në zonën e euros dhe të sanksionojë për momentin vetëm deficitet. Për Jürgen Trittin megjithatë ky është një hap në drejtimin e duhur: "Ne nuk mund të vazhdojmë me të vërtetë të përfytyrojmë një bashkim monetar, i cili nuk është në të njëjtën kohë një bashkim ekonomik.

Dhe ne nuk mund të vazhdojmë t'u ndihmojmë vendeve të tjera, të cilat kanë hyrë në krizë, për shembull, me garanci nga Gjermania, sepse ato kanë rënë në krizë pasi kanë aplikuar dumping të taksave dhe të rregulloreve. "

Po ndodh...