E braktisur nga e ëma, me babanë në burg/ Historia e 8-vjeçarjes që kujdeset për gjyshen e sëmurë, Fiks Fare apel për ndihmë

18 Shtator 2023, 21:14 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

E braktisur nga e ëma, me babanë në burg/ Historia e

Emisioni Fiks Fare solli historinë e një vajze 8 vjeçare e cila kujdeset për gjyshen e saj të sëmurë 74-vjeçare.

Sheila, nxënëse e klasës së dytë, jeton vetëm me gjyshen e saj, e cila tregon se mbesën e ka rritur vetë.

“Babin e ka në burg, e ëma e ka braktisur,  unë e kam rritur e vetme, por tani jam e sëmurë nuk i shërbej dot. Jemi në kushte shumë të vështira ekonomike dhe e mitura gatuan edhe për mua”, thotë 74-vjeçarja.

Të ardhurat e vetme të Sheilës dhe gjyshes janë pensioni i të moshuarës me të cilin paguajnë qiranë  e shtëpisë. Ato jetojnë në  Tiranë në rrugën “Jordan Misja”. E moshuara thotë se kujdeset për mbesën që kur ka lindur, pasi e ëma e ka braktisur, por tani e ka të pamundur ta bëjë për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Sheila edhe pse në këto kushte, kurrë nuk është ankuar për asgjë. Por gjyshes i dhimbset e vogla e saj që është rritur para kohe, ndaj iu drejtua edhe emisionit Fiks Fare për ndihmë.

Ndërkohë 8-vjeçarja tregon se mungon shpesh në shkollë për shkak të gjendjes shëndetësore të gjyshes. “Sot nuk shkova në shkollë se nëna ishte sëmurë, dhe kështu mungoj shpesh”, thotë 8 vjeçarja.

Sheila thotë se zgjohet në orën 5 të mëngjesit, pasi i jep ilaçet gjyshes, duhet të bëjë mëngjesin , të lajë, pastrojë, bëjë të gjitha punët e shtëpisë. “Zgjohem që në 5 të mëngjesit bëj punët pastaj shkoj në shkollë, edhe mungoj kur është gjyshja sëmurë”, tregon e mitura.

Ndërkohë për prindërit flet pak, ajo thotë se të atin në burg nuk e ka takuar se nuk ka kush ta çojë ta takojë, vetëm komunikon me të në telefon, ndërsa me të ëmën nuk flet fare.

Në prezencë të gazetarëve ajo gatuan mëngjesin e gjyshes. Në frigorifer ka vetëm një kokërr vezë dhe atë nuk mendon ta hajë vetë por ia gatuan nënës se më pas do të marrë ilaçet. Më pas do lajë rrobat. Kur gazetarët e pyesin se për çfarë ka nevojë ajo përgjigjet: Kam nevojë për lodra, rroba, mjete mësimore.

Edhe pse shkolla ka nisur Sheila akoma nuk ka mjete mësimore, pasi nuk ka me çfarë t’i blejë.

“ Nuk kam blerë akoma mjetet, të gjitha shoqet e mija i kanë blerë”, i pohon ajo gazetarëve të Fiksit.