Këtë verë, popullsia e Shqipërisë arriti 3.6 milionë/ 1 në 8 njerëz me të cilët jemi shkëmbyer ka qenë i huaj

29 Gusht 2023, 12:46 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Këtë verë, popullsia e Shqipërisë arriti 3.6
Kryefjala e këtyre muajve të nxehtë ka qenë pikërisht fluksi i lartë i turistëve të huaj në vendin tonë. Shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave e konfirmuan këtë tendencë, duke raportuar një rritje me 26% të turistëve këtë vit për muajin Korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Scan Intel” në kuadër të rubrikës `FunData` i ka analizuar shifrat disi më ndryshe. Sa është shtuar popullsia e Shqipërisë në Korrik dhe sa është e ka qenë probabiliteti që rrugëve, sidomos në zonat bregdetare dhe turistike të jemi hasur me të huaj?

Në total gjatë Korrik kanë hyrë në Shqipëri rreth 1.77 milionë të huaj dhe rreth 766 mijë shtetas shqiptarë, që mund të jenë rezident në vendin tonë apo emigrantë, ndërkohë që kanë dalë nga Shqipëria rreth 710 mijë shtetas. Në total, popullsia e Shqipërisë sipas Instat raportohet në 2.76 milionë banorë. Duke supozuar që pushuesit qëndrojnë mesatarisht një javë në vendin tonë, ne kemi përllogaritur se sa mund të ketë qenë përafërsisht popullsia e Shqipërisë në një ditë të Korrikut.

Për të arritur në një përfundim të përafërt kemi llogaritur edhe daljet, sërish me supozimin se qëndrojnë rreth një javë jashtë (edhe pse në këtë rast tendenca e viteve të kaluara dhe perceptimi tregojnë se kohëzgjatja e qëndrimit është më e ulët, sidomos duke pasur parasysh flukset e larta të lëvizjeve jashtë kufijve në vendet fqinje). Gjithsesi, nëse popullsisë rezidente i shtojmë hyrjet e Korrikut dhe i heqim daljet, atëherë na rezulton se përafërsisht në Shqipëri në një ditë çfarëdo të Korrikut ka pasur rreth 3.6 milionë banorë, ose rreth 29.4% më shumë se popullsia e zakonshme e vendit pa turistë.

Por, sa është probabiliteti që të kemi hasur në rrugë një të huaj, sipas origjinës së tyre? Një në tetë `banorë` të Shqipërisë në Korrik, ose 12.4% e totalit, sipas këtyre përllogaritjeve rezulton të ketë qenë i huaj. 5.9% e totalit, ose 1 në 17 njerëz që mund të kemi hasur rrugëve të Shqipërisë këtë Korrik me shumë gjasa ka qenë shqiptar i Kosovës, 1 në 120 italian, 1 në 140 malazez, 1 në 150 nga Greqia, e me radhë. Pra, në total 3 në 10 njërëz që mund të kemi hasur rrugëve të Shqipërisë në Korrik nuk kanë qenë vendas, por të huaj ose emigrantë të rikthyer për pushime.

Kjo përllogaritje është bërë mbi të gjithë territorin e Shqipërisë dhe jo vetëm në zonat turistike, pasi nuk ka të dhëna të detajuara për destinacionin e turistëve në vendin tonë dhe gjasat për t`u ndeshur me përqëndrim më të lartë të turistëve në zonat më të nxehta turistike si: Ksamili, Vlora, Golemi apo Shëngjini e Velipoja padiskutim që janë ndjeshëm më të larta.

Nga ana tjetër, shifrat e Gushtit nuk i kemi ende në dispozicion, duke qenë se muaji nuk është mbyllur ende, por gjasat janë që të jetë përsëritur, apo edhe tejkaluar rekordi i Korrikut.

Po ndodh...