Arsenali zyrtarizoi Bertën, drejtori i ri sportiv: Mezi po pres ta rikthejmë klubin në superfuqi

31 Mars 2025, 16:44 / SPORT ALFA PRESS

Arsenali zyrtarizoi Bertën, drejtori i ri sportiv: Mezi po pres ta

Arsenali ka emëruar zyrtarisht Andrea Bertan si drejtorin e tyre të ri sportiv. 53-vjeçari e pa mundësinë për të punuar te klubi i Londrës së Veriut dhe në Premier Ligë si një ofertë që nuk mund ta refuzonte.

“Jam i emocionuar që po bashkohem me Arsenalin në një periudhë jashtëzakonisht emocionuese për klubin”, tha Berta pasi firmosi kontratën. “E kam ndjekur me shumë interes mënyrën se si Arsenali është zhvilluar vitet e fundit dhe kam admiruar punën e madhe që është bërë për ta rikthyer klubin si një forcë të madhe në futbollin evropian, me një bazë të zjarrtë tifozësh në mbarë botën.

Klubi ka vlera të mëdha dhe një histori të pasur dhe mezi pres të jap kontributin tim në ndërtimin e një të ardhmeje të suksesshme me një ekip të shkëlqyer. Mezi po pres që të filloj në rolin tim të ri dhe jam vërtet i emocionuar për të përjetuar ndeshjen time të parë në ‘Emirates Stadium’ së bashku me tifozët tanë”.

Arsenal zhvilloi një proces të detajuar dhe intervistoi disa kandidatë, por Berta ishte zgjedhja më e spikatur. 53-vjeçari ishte zgjedhja që të gjithë ranë dakord pas një procesi të detajuar rekrutimi të udhëhequr nga drejtori i menaxhimit të Arsenalit, Riçard Garlik dhe zëvendëspresidenti Tim Ljuis me bashkëpronarin Xhosh Kroenke dhe trajnerin Mikel Arteta, të cilët u konsultuan gjithashtu.

Italiani, i cili ishte i disponueshëm që nga janari pasi i dha fund karrierës së tij tek Atletiko e Madridit pas 12 vitesh në janar, po përgatitej për një punë në Premier Ligë, duke nisur edhe marrjen e leksioneve të anglishtes në Londër. Në fillim të muajit, bankieri u përfol si kandidati kryesor në procesin e kujdesshëm të Arsenalit për të zëvendësuar Edunë, i cili dha dorëheqjen si drejtor sportiv në nëntor.

Berta, i njohur si një figurë qendrore në suksesin e Atletikos së Madridit, është një strateg i vlerësuar maksimalisht në tregun e transferimeve dhe vlerësohet në gjithë Evropën jo vetëm për aftësinë e tij për të realizuar goditje fitimprurëse financiare në merkato, por edhe për cilësinë e futbollistëve që afron. Mançester Junajtid e konsideroi atë si një pasardhës të drejtorit sportiv të shkarkuar së fundmi, Dan Ashuorth, por edhe PSG-ja i ka admiruar aftësitë e tij për të blerë dhe shitur futbollistë me efikasitet të lartë.

Rodri, Antuan Grizman, Zhoao Feliks, Luis Suarez, Julian Alvarez dhe Jan Oblak janë disa nga transferimet më të suksesshme të tij në kampin madrilen. Në Itali, biznesmeni italian është kërkuar më parë edhe nga Milani dhe Juventusi për t’i besuar çelësat e merkatos.

 

Po ndodh...